Trump përgatitet për vizitën në Britani

schedule19:57 - 2 Qershor, 2019

schedule 19:57 - 2 Qershor, 2019

Në prag të vizitës së tij zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar kryeministren Theresa May për menaxhimin e procesit të Breksit dhe ka deklaruar se Britania duhet të dalë nga BE-ja brenda datës së caktuar edhe pa një marrëveshje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp do të mbërrijë më 3 Qershor në Britaninë e Madhe për një vizitë zyrtare dyditore. Ai, së bashku me bashkëshorten Melania do të kenë një pritje madhështore në pallatin mbretëror, një drekë me mbretëreshën Elizabetë, çaj me Princin Çarls dhe një darkë në Pallatin e Bakingamit.

Më pas për ta është rezervuar edhe një tur në pallatin madhështor të Uestminster Abei, që ka një rëndësi historike për kishën britanike. Në një intervistë për gazetën britanike “Sunday Times”, Trump ka kritikuar Kryeministren në detyrë Theresa May. Presidenti amerikan ka thënë se këtë vit, Britania duhet të dalë patjetër nga Bashkimi Europian.

“Ata kanë mbaruar punë dhe duhet ta mbyllin këtë marrëveshje. Nëse ata nuk marrin atë që duan, atëherë duhet të largohen. Nëse nuk ka një marrëveshje të drejtë, ti thjeshtë largohesh”, ka theksuar Trump.

Për kreun e Shtëpisë së Bardhë gjërat janë të thjeshta, Britania duhet të largohet nga BE në datën e parashikuar më 30 Tetor. Ai ka shtuar se mospërfshirja e Nigel Farage në negociatat me Brukselin, pas suksesit të tij në zgjedhjet europiane, ishte një lëvizje e gabuar.

“E pëlqej shumë Nigel, ai është një person shumë inteligjent. Ata nuk do ta përfshijnë, por do të ishte shumë mirë nëse do ta bënin”, ka shtuar Trump./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!