Presidenti amerikan, Donald Trump, duke komentuar akuzat e Izraelit ndaj Iranit për programin bërthamor, tha se ka pasur të drejtë në sulmet e tij ndaj marrëveshjes së 2015-s. Ndërsa vetë Irani thekson se pretendimet e shtetit hebre janë false.
Reagime të shumta kanë ardhur pas akuzave të forta të lëshuara nga Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ndaj Iranit. Të hënën ai nënvizoi se Teherani ka gënjyer për programin e saj bërthamor dhe se qëllimi i Presidentit Hasan Rouhani është të arrijë në posedimin e 5 bombave atomike të njëjta me atë të lëshuar në Hiroshima.
“Ajo me Iranin është një situatë e papranueshme. Brenda 12 majit do të marrin një vendim, kjo nuk do të thotë se nuk do të përpiqemi të negociojmë një marrëveshje të re. Por ajo që dimë dhe çfarë tha Benjamin Netanjahu tregon se unë kam 100% të drejtë”, tha Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë bashkë me homologun e Nigerisë, Muhammadu Buhari.
Ai njoftoi gjithashtu se ka ndjekur një pjesë të fjalimit të Kryeministrit izraelit, megjithatë nuk tregoi qëllimet e tij dhe nëse përfundimisht do të largojë SHBA-të nga marrëveshje me Iranin e firmosur nga Barack Obama në 2015-n, bashkë me fuqitë e mëdha. Mënjeherë pas kësaj, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin francez, Emmanuel Macron. Dy liderët diskutuan për situatën në Siri dhe Iran.
Ndërkohë, për akuzat e Izraelit dhe reaguar dhe vetë Teherani. Më anë të një deklarate, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, thotë se pretendimet e shtetit hebre janë false pasi nuk është pretenduar asnjëherë që të arrihet tek bombat bërthamore.
“Trump po përfiton nga rigjallërimi i akuzave të vjetra të trajtuara nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike për të fundosur marrëveshjen”, nënvizon zyrtari i Teheranit.
“Nga ajo që kemi parë nga qëndrimi i tij, kryeministri Netanjahu nuk ka vënë në dyshim zbatimin e marrëveshjes bërthamore nga Irani, pasi kjo e fundit nuk është bazuar në mirëbesim, por në impenjime konkrete, mekanizma verifikimi dhe në monitorim të rreptë të fakteve që certifikojnë se si Irani respekton plotësisht paktin”.
Kështu shkruhet në një komunikatë të përfaqësuese së lartë për politikë të jashtëme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Qëndrimi i Brukselit është që të vazhdohet me akordin e 2015-s.
Ndërkohë, duke qëndruar tek kjo çështje, kryeministri izraelit ka telefonuar Presidentin francez, Macron, atë rus Vladimir Putin dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel. Natanjahu i ka informuar personalisht liderët e tre vendeve lidhur me dosierin bërthamor iranian./abcnews.al