SHBA shtrëngon masat ekonomike ndaj Kinës duke paralajmëruar tarifa të reja doganore, që do të variojnë nga 10%-25%, për produkte që importohen nga ky vend. Presidenti Donald Tramp njoftoi se vendimi do të hyjë në fuqi në fund të muajit Shtator.
Administrata Tramp paralajmëroi një tjetër valë tarfash për një seri produktesh “Made in China” për një vlerë rreth 200 miliardë dollarë, e barazvlefshme me gjysmën e importit të mallrave kineze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë. Tarifat e reja do të hynë në fuqi në fund të muajit Shtator dhe do të jenë deri në 10 për qind, ndërsa në fund të vitit do të rriten deri në 25 për qind.
Me vendimin e ri shkon në 505 miliardë dollarë vlera totale e tarifave kundrejt produkteve kineze, të vendosura nga administrata Trump. Mes mallrave në shënjestër janë kondicionerët, kandelat për motorët, mobiliet dhe llampat.
Tarifat prej 10 për qind do të hynë në fuqi në 24 Shtator dhe nëse nuk do të arrihet një marrëdhënie tregtare e kënaqshme me Pekinin, në fund të vitit do të shkojnë në 25%. Kina nga ana e saj ka paralajmëruar masa kundër këtij vendimi duke vendosur tarifa prej 60 miliardë dollarësh për produktet amerikane.
Një deklaratë ndaj të cilës kreu i Shtëpisë së Bardhë reagoi duke thënë se do të vendoste tarifa të tjera prej 267 miliardë dollarësh. Nëse një gjë e tillë ndodh atëherë nënkupton se çdo mall kinez i importuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të taksohej./abcnews.al