Donald Trump thotë se nëse ai rizgjidhet president i SHBA-ve do të vendosë një tarifë shtesë prej 10 përqind për të gjitha produktet e importuara nga vendet e tjera, ndërsa për importet nga Kina, do të ketë një tarifë më të lartë prej 60%.
Gazetarja Genta Dobra, në një intervistë për “Faqja 4”, u shpreh se një politikë e tillë do të kishte një ndikim të madh në ekonominë amerikane dhe në Eurozonë. Sipas saj, kjo do të nënkuptonte një luftë të re tregtare, dhe se mund të ketë edhe kundërpërgjigje nga Bashkimi Evropian.
“Gjithë investitorët i druhen një lufte të re tregtare. Nuk është lajm i ri, por frikë që përhapet që ekonomia botërore nuk është në ditët e saj më të mira. Trump parashikon tarifa nga 10-20 për qind për importet drejt SHBA dhe nëse flasim për kinën kemi katërfishim deri në 690, dukshëm luftë e re tregtare. Efekti që do të ketë për ekonominë amerikane dhe Eurozonë do të jetë i madh. Instituti gjerman ka bërë një parashikim se nëse gjatë këtij mandate, do të kishim humbje me 180 mld euro sa i takon ekonomisë gjermane. Nëse Trump zgjidhet sërish në krye të Shtëpisë së Bardhë, do të ndikojë në ekonominë e Amerikës por jo vetëm dhe besoj se do të kemi një lloj kundërpërgjigje. Nëse Trump rizgjidhet dhe vendos tarifa nga 10-20 për qind, ndodh që të ketë kundërpërgjigje nga BE.”, u shpreh Dobra.
E pyetur për ndikimin që mund të ketë në vendin tonë, ajo tha se:
“Nëse flasim për raportin Shqipëri-Amerikë, nuk renditet në vendet tona kryesore si partner kombëtar. Kemi Italinë, Turqinë. Nuk kemi varësi të madhe nga importet e Amerikës. Mund të bëjmë edhe pa njëri-tjetrin. Duke marrë në konsideratë, nivelin të tregtisë së jashtme Shqipëri-Amerikë, impakti është i ulët.“/abcnews.al