Trump nuk pranon një transferim paqësor të pushtetit, reagon Biden: Nuk e di se çfarë thotë

schedule13:17 - 24 Shtator, 2020

schedule 13:17 - 24 Shtator, 2020

Presidenti amerikan Donald Trump, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, ka refuzuar se të tregojë nëse do të  dorëzojë pushtetin  në mënyrë paqësore nëse humbet në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Trump para gazetarëve.

Trump përmendi apelin në gjykatën e lartë nëse do të ketë paqartësi për rezultatin e zgjedhjeve, dhe pikërisht për këtë arsye sipas kritikëve, ai po bën presion që të plotësojë vendin e lënë bosh si pasojë e ndarjes nga jeta të gjykatëses Ruth Ginsburg një javë më parë. Dhe sigurisht ai këmbëngul që gjykatësja e re të jetë republikane me bindje.

Edhe në zgjedhjet e katër viteve më parë, Trump refuzoi të tregonte nëse do të respektonte rezultatin zgjedhor, nëse do të fitonte kundërshtarja e tij, Hillary Clinton.

Rivali demokrat Biden tha se Trump flet pa logjikë dhe nuk e di çfarë thotë. Ekipi i demokratëve me anë të një deklarate për shtyp theksoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka të gjitha mjetet për të nxjerrë shkelësit e ligjit jashtë shtëpisë së bardhë. s.ba/abcnews.al