Mediat amerikane akuzojnë presidentin Donald Trump se ka mbajtur sekret detajet e takimit me presidentin rus Vladimir Putin. Në reagimin e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se nuk mban asgjë nën rrogoz dhe se zërat për një hetim të tij nga FBI nuk e shqetësojnë.
Presidenti Donald Trump ka mohuar zërat se ka mbajtur të fshehta detajet e bisedës me homologun rus Vladimir Putin. Reagimi i kreut të shtetit erdhi pasi gazeta “Uashington Post” ngriti dyshime se të paktën në një rast në vitin 2017, Trump fshehu shënimet e përkthyesit të tij pas bisedimeve me kreun e Kremlinit. Gjithashtu, e përditshmja shkruan se takimi kokë më kokë mes dy presidentëve në Helsinki, që zgjati 2 orë, nuk u regjistrua sipas protokollit. Më herët gjatë javës ishte “Nju Jork Tajms” që raportoi se FBI kishte nisur një hetim për të verifikuar nëse Trump kishte punuar në fshehtësi për Rusinë pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së Xhejms Komi në vitin 2017. Por presidenti ka insistuar se nuk fsheh asgjë dhe se zërat për një hetim të tij nuk e shqetësojnë. “Nuk po mbaj asgjë nën rrogozë. Sa për lajmet, nuk më bëhet vonë”, ka thënë Trump për “Foks Njuz”. Ai ka shtuar se me presidentin Putin në Helsinki ka zhvilluar një bisedë normale mes presidentësh, të cilën e ka cilësuar shumë pozitive dhe konstruktive. “Kushdo mund ta kishte dëgjuar atë takim, ka qenë i hapur për të gjithë. Çështja ruse është vetëm një mashtrim i madh”, ka thënë Trump. Presidenti amerikan ka nënvizuar se është takuar me shumë liderë botërorë, por vetëm për takimet me Putin është kritikuar. Marrëdhëniet e Trump me Rusinë përpara zgjedhjes së tij në vitin 2016 janë subjekt i një hetimi federal ende në zhvillim. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse ka patur një mpleksje të stafit elektoral të Trump dhe shtetit rus, për ta ndihmuar atë që të zgjidhej. /abcnews.al