Trump: Nuk dëshiroj luftë me Iranin

schedule22:49 - 16 Maj, 2019

schedule 22:49 - 16 Maj, 2019

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk dëshiron një konflikt të armatosur me Iranin. Deklarata e tij ka ardhur në një kohë kur mediat amerikane shkruajnë se kreu i shtetit ka përplasje me këshilltarët e tij sa i takon opsionit ushtarak.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten se shpreson që Shtetet e Bashkuara nuk do të shkojnë në luftë me Iranin. Deklaratën Trump e bëri teksa u takua me presidentin e Zvicrës, vend neutral që ka shërbyer si nyje diplomatike mes dy vendeve. “Shpresojmë që jo”, iu përgjigj Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë teksa priste homologun Ueli Maurer. Tensionet janë përshkallëzuar në ditët e fundit duke rritur frikën e një konflikti të armatosur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. “Uashington Post”, duke cituar burime pranë administratës, raportoi të mërkurën se Trump preferon një opsion diplomatik me Iranin dhe bisedime direkte me liderët e tij, por është i shqetësuar pasi disa nga këshilltarët e tij po e nxisin për atë të luftës. Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi të enjten për “Foks Njuz” se nuk ka asnjë përplasje mes presidentit dhe këshilltarëve të tij dhe se ai i mirëpret këndvështrimet e ndryshme. “Ai është njeriu që populli amerikan zgjodhi, ndaj dhe do të mbledhë të gjithë informacionin nga ekipi i tij i sigurisë dhe më pas do të marrë vendimin që është më i mirë dhe më i sigurt për popullin amerikan”, deklaroi Sanders. Po të enjten, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi mirëpriti atë që e quajti “mungesë oreksi” të presidentit Trump për një konflikt ushtarak me Teheranin. /ABC news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!