Në prag të vizitave zyrtare në Londër dhe Bruksel, Donald Trump nuk i ka kursyer kritikat ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s. Në një prononcim për mediat, Trump ka thënë se si Britania ashtu edhe Aleanca ushtarake ndodhen në një katrahurë.
Mbretëria e Bashkuar është e trazuar dhe u takon njerëzve të vendosin nëse Thersa May duhet të vazhdojë të jetë kryeministre, apo duhet të largohet. Ka qenë ky komenti që presidenti Donald Trump ka bërë për mediat, në prag të vizitës së tij në Londër. Përpara se të largohej nga Uashingtoni në bordin e “Air Force One”, Trump tha se Britania e Madhe aktualisht po kalon një turbulencë.
Trump do të mbërrijë në Londër ditën e enjte, pasi të ketë marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në Belgjikë. “Do të jetë një vizitë interesante ajo në Britani dhe po ashtu ajo në Bruksel për samitin e NATO-s. Pra, në njërën anë është NATO dhe në anën tjetër Britania. Një katrahurë e vërtetë”, tha Trump.
Presidenti amerikan, që disa herë u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Aleancës të rrisin shpenzimet ushtarake, bëri shaka në lidhje me takimin me homologun rus Vladimir Putin, që do të mbahet të hënën e ardhshme në Helsinki.
“Mbase do të jetë takimi më i lehtë”, tha ai. I pyetur me insistim nga mediat në lidhje me të ardhmen e zonjës May, Trump tha se ajo është një çështje e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar.
“Unë merrem vesh mirë me të, kam marrëdhënie të mira. Por kjo varet nga qytetarët, jo nga unë”, tha Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shtoi gjithashtu se ka simpati për Boris Johnson, që ditën e hënë dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm. /abcnews.al