Donald Trump vijon të ndëshkojë çdo kritik që i del përpara, pa marrë parasysh statusin e tij. Të mërkurën Presidenti Amerikan ka sanksionuar ish-shefin e CIA-s, duke e akuzuar për abuzim me informacionet sekrete.
Donald Trump ka ndëshkuar ish-shefin e CIA-s John Brenan, duke i hequr atij aksesin në informacionet e klasifikuara. Ka qenë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders që ka njoftuar vendimin, duke lexuar një letër të presidentit amerikan.
“Zoti Brennan është angazhuar në një fushatë komentesh të çmendura dhe ka abuzuar me aksesin e tij në informacionet e klasifikuara, duke i përdorur ato për të krijuar kaos dhe përçarje”, ka thënë Trump në letër.
Ish-shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës është i njohur për kritikat e tij në adresë të presidentit amerikan. Në korrik ai e cilësoi pjesëmarrjen e Trump në takimin me presidentin rus Putin një tradhti për vendin. Pasi ka marrë lajmin, Brennan nuk ka qëndruar pa reaguar.
“Më habit fakti se ju vazhdimisht dështoni të jeni një njeri i qytetëruar, korrekt dhe i ndershëm”, ka thënë Brennan në profilin e tij në Twitter. Për ish-shefin e CIA-s, Trump nuk do ta kuptojë kurrë se çfarë do të thotë të jesh president dhe njeri i mirë. “Dy gjëra kaq të dhimbshme dhe kaq të rrezikshme për vendin tonë”, ka vijuar Brennan reagimin e tij.
Por Trump duket se është i vendosur në epopenë e tij për të ndëshkuar këdo që i del kundër. Sipas mediave amerikane, ai po shqyrton bllokimin e aksesit në informacion ish-drejtorit të FBI-së James Comey, ish-drejtorit të shërbimit kombëtar të inteligjencës James Clapper dhe shumë ish-zyrtarëve të sigurisë të administratës parardhëse të Barack Obama. /abcnews.al