Trump: Ndërtojmë murin dhe mbyllim llotarinë amerikane

schedule22:01 - 29 Dhjetor, 2017

schedule 22:01 - 29 Dhjetor, 2017

Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të insistojë në ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën. Gjithashtu ai kërkon edhe mbylljen e llotarisë amerikane të emigracionit.

Duket se presidenti amerikan, Donald Trump do e mbyllë këtë vit me një vizion të qartë veprimi për 2018. Me anë të një mesazhi në Tuiter, kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkoi ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën dhe mbylljen e llotarisë amerikane. “Demokratëve u është thënë, dhe e kanë kuptuar plotësisht se nuk mund të ketë DACA pa murin aq shumë të nevojshëm në kufirin jugor dhe pa mbylljen e zinxhirit të tmerrshëm migrator si dhe sistemin qesharak të llotarisë së emigracionit. Ne duhet të mbrojmë vendin tonë me çdo kusht”, shkruan Trump.

DACA është një politikë amerikanë për emigracionin që lejon disa individë që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara si minorenë, të cilët kanë qëndruar në këtë vend ilegalisht, që të përfitojnë një leje të rinovueshme qëndrimi dhe punësimi prej dy vitesh. Me anë të këtij vendimi, emigrantët apo “dreamers”, siç cilësohen ndryshe, mund të shpëtojnë nga deportimi. Kjo politikë mbrojtjeje është dekretuar nga administrata e Barak Obamës në qershor të 2012 dhe u anullua nga administrata Trump në shtator 2017.

Sipas të dhënave zyrtare, nga vendimi i manjatit amerikan mund të preken 800 mijë emigrantë, të cilët tashmë rrezikojnë deportimin. Ndërkohë, prej disa muajve, Trump ka vënë në shënjestër edhe programin e Llotarisë Amerikane. Kohëve të fundit ai mbështeti idenë e mbylljes së llotarisë duke theksuar se është një program i padrejtë dhe qesharak. Ai kërkon zëvendësimin e saj me emigracionin e ligjshëm në bazë të meritës, të njëjtë siç e ka Kanadaja.

Ndërkaq, ndërtimi i murit në kufirin me Meksikën mbetet një premtim elektoral, ende i papërmbushur. Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes Doganore dhe Kufitare, kanë konfimuar më herët pëfundimin e tetë prototipeve të murit. Ato janë projektuar sipas propozimit të Presidentit Trump dhe pritet vetëm testimi i tyre, që më pas Trump të zgjedhë se cili do të ndërtohet./abcnews.al

Gazetar i ABC News: Xhevahir Qardaku

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!