Fituesja e çmimit Nobel për Paqe këtë vit, Maria Corina Machado, ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump, ishte ai që e meritonte më së shumti këtë vlerësim.
Në një intervistë për rrjetin amerikan CNN, liderja e opozitës venezueliane tha se Nobeli për paqen i takonte Trump, për shkak ngjarjeve aktuale në botë, veçanërisht ndërprerja e konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Unë absolutisht mendoj se ai meriton një Çmimin Nobel për Paqen për shkak të ngjarjeve të pabesueshme që po ndodhin aktualisht në botë. Vetëm në nëntë muaj, kaq shumë konflikte janë zgjidhur ose parandaluar, veçanërisht konflikti në Lindjen e Mesme. Dua që bota të kujtojë se të gjitha palët e përfshira, të gjitha vendet anembanë globit, e kanë mbështetur këtë zgjidhje. Kjo është diçka vërtet e jashtëzakonshme”
Politikania e krahut të djathtë kërkoi gjithashtu ndihmë nga Shtetet e Bashkuara, për të ndaluar atë që ajo e përshkroi si një luftë ndaj vendit të saj nga Presidenti Nicolas Maduro.
“Ne kemi nevojë për ndihmën e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar këtë luftë, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzore. Venezuela aktualisht është një kërcënim real për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”
Kur u pyet në lidhje me deklaratat e saj të mëparshme, që kërkonin ndërhyrje ushtarake në Venezuelë, Machado nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha se donte të shihte të kufizohej ndikimi i Rusisë, Kinës, Kubës dhe Iranit.
Machado, e cila është në arrati që pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, ka mirëpritur sanksionet amerikane ndaj Venezuelës, si goditje për regjimin e Maduros.
Ajo tha se beson se çmimi Nobel do t’i ofrojë një mborjtje më të madhe, por shprehu bindjen e saj se regjimi është i gatshëm ta dëmtojë.
Ndërkohë Trump ka konfirmuar se ka autorizuar CIA-n për të zhvilluar operacione sekrete brenda territorit të Venezuelës, për shkak të trafikut të drogës dhe kriminelëve venezuelianë, që kanë mbushur burgjet amerikane./abcnews.al

