Presidenti Donald Trump ka mbrojtur bizneset në Rusi, duke deklaruar se gjithçka që ka bërë ka qenë legjitime dhe njëkohësisht e mrekullueshme. Kreu i shtetit ka akuzuar ish-avokatin e tij se mashtron për një projekt të planifikuar në Moskë, për të cilin sipas tij kishin dijeni të gjithë.
Presidenti Donald Trump mbrojti të premten marrëveshjet e biznesit të bëra në Rusi para se të bëhej kryetar shteti. Përmes një seri postimesh në profilin e tij në Tëitter, Trump tha se bizneset e tij në Moskë kishin qenë legjitime, edhe pse më pas ai ishte tërhequr prej tyre. Presidenti amerikan u shpreh se e hetimet mbi pasuritë e tij janë një gjueti shtrigash, vetëm e vetëm pse ai është një njeri i suksesshëm.
“Unë jam një biznesmen i zoti që bën një jetë të lumtur. Ndërkohë, vendi ynë ecën në drejtim të gabuar”, deklaroi Trump, duke iu referuar hetimeve të “Russiagate”.
Reagimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë erdhi pas zërave se para zgjedhjeve presidenciale të 2016-s ai kishte qenë në kontakt me një zëdhënës të Kremlinit, për një dhuratë për presidentin rus Vladimir Putin. Bëhet fjalë për një apartament me vlerë 50 milionë dollarë, pjesë e projektit për ndërtimin e një kulle Trump në Moskë.
“Bizneset e mia janë të ligjshme dhe të mrekullueshme. Fola për to në fushatë, tregova se kisha parë mundësinë për të ngritur një ndërtesë diku në Rusi, por nuk derdha asnjë lek dhe nuk e bëra”, tha Trump.
Lajmi u publikua në mediat amerikane, që citonin një bashkëpunëtor të miliarderit dhe ish-avokatin e tij personal Majkëll Kohen.
“Kohen mashtron për një projekt për të cilin kishin dijeni të gjithë. Ne ishim shumë transparentë për atë që bëmë”, vijoi presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën linjë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders deklaroi të premten se hetimi për mpleksjen e presidentit me palën ruse është një lojë gjuetie shtrigash.
“Por për fat të keq, kjo lojë po dëmton marrëdhëniet tona me Rusinë”, tha Sanders. Zëdhënësja sqaroi megjithatë se motivi i anulimit të takimit të Trump me presidentin Putin në Argjentinë ishte kriza ukrainase./abcnews.al