Presidenti amerikan, Donald Trump u ka kërkuar udhëheqësve kurdë në Irak dhe grupeve kurde në Iran të mbështesin një kryengritje kundër qeverisë së Teheranit.
Lajmi u bë i ditur nga Washington Post duke cituar zyrtarë kurdë dhe amerikanë të njohur me çështjen. Sipas medias, Trump e diskutoi çështjen në një seri telefonatash këtë javë me udhëheqësit kurdë nga rajoni autonom i Kurdistanit irakian dhe përfaqësuesit e opozitës kurde iraniane.
Gjatë një bisede të dielën, më 1 mars, me udhëheqësin e Unionit Patriotik të Kurdistanit (PUK), Bafel Talabani, presidenti amerikan thuhet se ofroi mbështetjeje për grupet kurde antiqeveritare për t’i mundësuar atyre të marrin kontrollin e pjesëve të Iranit perëndimor.
“Trump ishte i qartë në telefonatën e tij: ai tha se kurdët duhet të zgjedhin anë në këtë betejë, ose me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin ose me Iranin”, tha një zyrtar i lartë i PUK-ut.
Uashingtoni u kërkoi autoriteteve kurde irakiane të mos pengonin mobilizimin e grupeve kurde iraniane të pranishme në Irak dhe të ofronin mbështetje logjistike. Një burim nga Partia Demokratike e Kurdistanit (KDP), forca tjetër kryesore politike në rajonin autonom të udhëhequr nga Masoud Barzani, konfirmoi këtë gjë, por theksoi se çdo operacion i mundshëm do të varet kryesisht nga niveli i mbështetjes së brendshme për Iranin.
Trump foli gjithashtu të martën, më 3 mars, me Mustafa Hijri, udhëheqësin e Partisë Demokratike të Kurdistanit Iranian (KDP), grupi më i vjetër opozitar kurd në Iran. PDKI është pjesë e një koalicioni prej gjashtë partish antiqeveritare kurde që javën e kaluar njoftuan krijimin e një fronti të përbashkët, Koalicioni i Forcave Politike të Kurdistanit Iranian.


