Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të njohin liderin e opozitës së Venezuelës si president të vendit. Njoftimi është bërë nga vetë presidenti Trump, i cili e ka cilësuar lidershipin e Nikolas Maduro, një regjim ilegjitim. Ndërkohë, vendi latin vijon të jetë i përfshirë nga protestat masive.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar se njeh liderin e opozitës së Venezuelës si presidentin legjitim të vendit latin. Reagimi i Trump erdhi pasi më herët gjatë së mërkurës, kreu i opozitës venezueliane, Huan Guaido’ u vetëshpall president në detyrë i vendit.
Në njoftimin e tij, Trump u bëri thirrje qeverive të vendeve të tjera të ndërmarrin të njëjtin hap. Ai e cilësoi lidershipin e presidentit në fuqi Nikolas Maduro ilegjitim dhe theksoi se, Kongresi i vendit i udhëhequr nga lideri i opozitës ishte degale e vetme legjitime e qeverisjes në vend.
“Populli i Venezuelës ka folur qartë dhe me kurajë kundër Maduro dhe regjimit të tij. Ata kanë kërkuar liri dhe sundim të ligjit”, vijoi Trump.
Reagimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë erdhi kur dhjetëra mijëra qytetarë të Venezuelës mbushën rrugët e kryeqytetit Karakas për të protestuar kundër presidentit Maduro, pak ditë pas betimit të kontestuar të tij për një mandat të dytë. sipas mediave ndërkombëtare, disa nga protestuesit u përballen me forcat e Gardës Kombëtare; ndërsa grupet e aktivistëve deklaruan se 4 vetë ishin vrarë gjatë natës, në vigjilje të manifestimeve.
Por krahas protestave të thirrura nga lideri i opozitës, në rrugët e kryeqytetit zbritën edhe mbështetës të presidentit Maduro, të cilët i dhanë jetë një anti-proteste. Huan Guaido’, që është kryetar i Asamblesë Kombëtare të vendit latin, ubëri thirrje forcave të armatosura që të mos i binden qeverisë./abcnews.al