Demokratët amerikanë synojnë të çojnë deri në fund procesin e shkarkimit të Trump, për ta penguar atë që të kandidojë në të ardhmen sërish për postin e presidentit. Por për të arritur këtë qëllim duhet të kenë mbështetjen e 17 senatorëve republikanë, të gatshëm për të tradhtuar Tuamp.
Kancelarja e Dhomës së Përfaqësuesve Sheril Xhonson drejton në korridoret e Kapitol Hill, 9 prokurorët demokratë të dhomës – të zgjedhur nga Nensi Pelozi, njëkohësisht dhe në rolin e kryetares – që i kanë dorëzuar senatit akuzën për nxitje të rebelimit, ndaj ish presidentit për sulmin e 6 janarit kundër ndërtesës së kongresit.
Procesi ndaj Trump do të nisë në 8 shkurt dhe do të jetë procesi i parë në senat kundër një ish presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Demokratët vijojnë të theksojnë se Trump do të jetë dhe në të ardhmen një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Fraza në qendër të akuzës është ajo në të cilën Trump deklaroi në 6 janar: Nëse nuk luftoni si të çmendur, atëherë nuk do të keni më një vend”
Në dosjen për shkarkimin e tij, ka referime dhe për telefonatën e bërë ndaj sekretarit të shtetit të Xhorxhias, në të cilën Trump madje dhe duke kërcënuar i kërkon të gjejë votat e duhura për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në shtetin kyc të jugut të fituar nga Biden.
Dhe presidenti aktual amerikan mendon se ky proces duhet të shkojë deri në fund. Biden ka pranuar se një gjë e tillë mund të shkaktojë vonesa në aktualizimin e agjendës së tij legjislative dhe konfirmimin në senat të ekipit të tij qeverisës. Por sipas tij, pasojat do të ishin më të rënda nëse ky proces nuk do të bëhej.
Ndërkohë demokratët po kërkojnë 17 republikanë të gatshëm për të tradhtuar Trump. Për shkarkimin e tij do të duhen 67 senatorë, pra ish kreu i shtëpisë së bardhë duhet të braktiset nga 17 republikanë; një gjë duket e pamundur. Në rast se një gjë e tillë ndodh, Trump nuk do të mund të rikandidojë për Shtëpinë e Bardhë në 2024-ën. Dhe ky është objektivi i vërtetë i demokratëve./abcnews.al