Trump i përgjigjet Merkel: S’kërkoj Amerikë të izoluar

schedule15:34 - 26 Janar, 2018

schedule 15:34 - 26 Janar, 2018

Gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, Presidenti Donald Trump deklaroi hapur parimin e tij ”Amerika e para, por jo Amerika e vetme”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi para liderëve botërore se Amerika është rritur gjatë Presidencës së tij, dhe kur rritet Amerika sipas tij, rritet gjithë bota.

  

E premtja ishte dita e presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos të Zvicrës. Duke folur në një konferencë për shtyp përballë shumë liderëve dhe biznesmenëve, kreu I Shtëpisë së Bardhë prezantoi politikën e tij “Amerika e Para”. Madje ai pati edhe një replikë për kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila kundërshtoi politikat e proteksionizmit në fjalimin që mbajti në Davos.

“Si presidenti i Shteteve të Bashkuara do të vendos gjithmonë Amerikën të parën, ashtu si liderët e vendeve të tjerë vendosin të parin vendin e tyre. Por Amerika e para nuk nënkupton Amerika e vetmuar. Prosperiteti i SHBA-së ka krijuar punë të panumërta përreth globit”.

Duke folur për tregtinë ai i bëri thirrje kompanive të mëdha që të investojnë në Shtetet e Bashkuara. “Amerika po shikon një rritje të fortë, në bursë janë krijuar 7 mijë milliardë dollar nga zgjedhja ime”, ishte konstatimi i Trump. Ndërsa më tej theksoi se “Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë më praktikat jo-korrekte në tregtinë ndërkombëtare. Një tjetër çështje që preku lideri amerikan ishte dhe ajo e emigracionit. “Sistemi që rregullon emigracionin në SHBA ka ndaluar në të kaluarën dhe tani e tutje do të vijë seleksionimi në bazë të aftësive për të kontribuuar në mirëqënien ekonomike të Amerikës”, theksoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Gjithashtu presidenti amerikan përsëriti thirrjen e tij për anëtarët e NATO-s. “Për ta bërë botën më të sigurtë nga regjimet e ashpëra, terrorizmi dhe fuqitë revizioniste, ne po kërkojmë nga miqtë dhe aleatët tanë të investojnë në mbrojtjen e tyre dhe të arrijnë obligimet financiare”, tha Trump. Gjithashtu në fund ai pati edhe një kritikë për mediat. Në momentin kur ai po cilësonte disa prej tyre si “fake media”, të pranishmit e kanë fishkëllyer./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!