Ish-presidenti republikan i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një njoftim nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjorë se do të tërheqë padinë kishte ngritur ndaj ish-avokatit, Michael Cohen.
Trump ngriti një padi kundër avokatit, të besuarit të tij për një kohë të gjatë më 12 prill. Manjati do të thirrej për të dëshmuar nga avokatët e Cohen të hënën.
Ekipi ligjor i kundërshtarit të tij mirëpriti vendimin e ish-presidentit për të hequr dorë nga padia. Në maj, ai i kërkoi një gjykate të rrëzonte padinë, të cilën ai e pa si “veprim abuziv” që synonte “hakmarrjen” dhe “kanosjen e dëshmitarëve”.
Pala e Cohen tha dje se padia ishte thjesht një tentativë për ta frikësuar dhe një taktikë hakmarrjeje.
Donald Trump ngriti padinë tetë ditë pasi ai u deklarua i pafajshëm për 34 akuza penale nga Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattan në lidhje me pagesën e 130,000 dollarëve për një aktore pornografike.
Ky ishte i pari nga katër procedimet penale me të cilat përballet tani ish-presidenti. Tre të tjerat kanë të bëjnë me përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilin ai e humbi ndaj demokratit Joe Biden, dhe me menaxhimin e dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
/abcnews.al