Trump grindet me liderët demokratë në transmetim direkt

schedule08:12 - 12 Dhjetor, 2018

schedule 08:12 - 12 Dhjetor, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump është grindur verbalisht me liderët demokratë gjatë një takimi në Zyrën Ovale të transmetuar drejtëpërdrejtë në media. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u nervozua pasi opozita nuk pranoi të financonte ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.

Grindje e pashembullt në Zyrën Ovale: ku, para kameramanëve të frikësuar, Presidenti amerikan Donald Trump u përplas verbalisht me udhëheqësit demokratë, atë të minorancës të Senatit Chuck Schumer dhe me atë të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Takimi publik u përshkallëzua gjatë diskutimeve për çështjen e fondeve që Trump kërkonte për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën që ishte një ndër premtimet kryesore të fushatës së tij presidenciale.

Në fakt ky takim përfundoi para se të fillonte – ishte akoma në fazën e fotografisë së përbashkët, kur Trump deklaraoi se është i gatshëm të aktivizojë gjendjen “Shutdown” apo thënë ndryshe mbylljen e të gjitha shërbimeve të qeverisë federake amerikane.

“Nëse nuk do të jepet siguri për kufijt do të mbyllim aktivitetin e qeverisë”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Janarin e kaluar demokratët bllokuan plotësimin e kërkesës për financimin e murit duke përdorur çështjen “Dreamers” – të rreth 700 mijë fëmijëve të emigrantëve të paligjshëm, të cilëve u mundësohej qëndrimi në SHBA nga një dekret i presidentit Obama por që u rrëzua nga Trump. Atë kohë u arrit një marrëveshje dhe mbyllja e qeverisë zgjati vetëm disa ditë. Tani lideri amerikan kërkon 5 miliardë dollarë për të financuar murin në kufi, por demokratët janë të gatshëm të japin vetëm 1.3 miliardë.

“Ju nuk i keni numrat për të kaluar këtë shifër”, i tha Nancy Pelosi , e cila në janar shpreson të emërohet përsëri Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, pavarësisht se një krah brenda partisë së saj kundërshton dhe bën thirrje për një rinovim të lidershipit.

“Ai nuk do të ketë një mur dhe në këmbim do të ketë bllokimin e financave të qeverisë”, tha Schumer.

Buxheti për agjenci të caktuara federale është i siguruar vetëm deri më 21 dhjetor. Shumë punonjës federalë mund të kalojnë Krishtlindje të hidhura pasi nuk do të mund të paguhen. Gjithashtu një grindje e tillë do të peshojë më tej në vlerësimin e ulët të administratës Trump nga amerikanët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!