Trump fton Kim: Gati të takohemi në ish-zonën ushtarake

schedule19:30 - 29 Qershor, 2019

schedule 19:30 - 29 Qershor, 2019

Presidenti Donald Trump i ka bërë ftesë liderit koreano-verior Kim Jong Un që të takohen në zonën e fortifikuar që ndan Korenë e Veriut me atë të Jugut. Me atë që e quajti një gjest spontan, Trump tha në Twitter se është gati ta përshëndesë dhe të shtrëngojë duart me Kim gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut. Nga ana tjetër, Peniani e quajti propozimin një sugjerim shumë interesant.

Presidenti amerikan mbërriti në Seul për të diskutuar çështjen e çarmatosjes bërthamore të gadishullit Korean. Nëse Trump dhe Kim vendosin të shihen në ish-zonën ushtarake do të jetë hera e tretë që ata takohen brenda një viti dhe njëkohësisht i pari që nga dështimi i samitit të Vietnamit në muajin shkurt.

Trump, që po viziton Korenë e Jugut pas samitit të G20-s në Japoni, tha se me Kim mund të takohet për rreth dy minuta, duke çuar analistët ta konsiderojnë takimin një “shfaqje të pakuptimtë”. Sidoqoftë, pavarësisht mungesës së përgatitjes diplomatike, disa analistë kanë sugjeruar se një tjetër takim kokë më kokë mes Trump dhe Kim mund të qetësojë marrëdhëniet dhe të hapë rrugë për bisedime të reja në të ardhmen.

Ndërkohë, nga Peniani, zëvendës ministrja e Jashtme Ço Son Hui deklaroi se, e konsideron propozimin një sugjerim shumë interesant, por nënvizoi se nuk kanë marrë një ftesë zyrtare për një takim të tillë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!