Trump dhe Kim mbërrijnë në Vietnam, nesër takimi mes dy liderëve

schedule22:05 - 26 Shkurt, 2019

schedule 22:05 - 26 Shkurt, 2019

Donald Trump dhe Kim Jong Un mbërritën të martën në Hanoi për samitin e dytë mes tyre. Ndryshe nga samiti i Singaporit, këtë herë synohet që palët të lëvizin drejt mbajtjes së zotimeve; Peniani për asgjësimin e arsenalit bërthamor dhe Uashingtoni për lehtësimin e sanksioneve.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un mbërritën të dy të martën në Vietnam, për samitin e dytë mes tyre që do të ketë në fokus implementimin e zotimit të Koresë së Veriut për asgjësimin e arsenalit të saj bërthamor. Trump fluturoi për në kryeqytetin Hanoi në bordin e “Air Force One”, duke u ulur pak përpara orës 21, me orën lokoale, 16 me orën tonë. “Sapo mbërrita në Vietnam, ju faleminderit të gjithëve për pritjen e mrekullueshme në Hanoi. Një turmë madhështore dhe shumë dashuri”, shkroi Trump në profilin e tij në Twitter. Ndërkohë, Kim mbërriti me tren më herët gjatë ditës, pas 3 ditë udhëtim që u deshën për të përshkuar 3 mijë kilometra nga Peniani, përmes Kinës.

Ai e përfundoi segmentin e fundit të udhëtimit, nga një stacion kufitar deri në Hanoi me makinë. Dy liderët, të cilët që prej samitit të Singaporit duket se kanë krijuar një marrëdhënie të ngrohtë, do të takohen të mërkurën fillimisht në bisedime kokë më kokë dhe më pas në një darkë ku secili do të jetë i shoqëruar nga dy bashkëpunëtorë dhe përkthyesit. Më pas, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, ata do të takohen sërish ditën e enjte. Takimi vjen 8 muaj pas samitit historik të Singaporit, që ishte i pari mes një presidenti amerikan dhe një lideri koreano-verior. Ndërsa ai shërbeu për të shkrirë akujt mes dy vendeve, ky i fundit synon që palët të lëvizin drejt zotimeve të bëra; Peniani për asgjësimin e arsenalit bërthamor dhe Uashingtoni për lehtësimin e sanksioneve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!