Trump dhe DeSantis shikojnë tek shtetet e Super të Martës teksa përgatiten për garën e gjatë të 2024-ës

schedule23:30 - 10 Korrik, 2023

schedule 23:30 - 10 Korrik, 2023

Ndërsa fushata për zgjedhjet paraprake presidenciale republikane intensifikohet këtë verë, shumica e kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë po e përqendrojnë vëmendjen tek shtetet Ajova dhe Nju Hempshër, që janë të parat që votojnë në zgjedhjet paraprake në fillim të vitit të ardhshëm. Por Ron DeSantis apo Donald Trumpi, nuk janë mes tyre. Guvernatori i Floridës do t’u drejtohet më shumë se 1,500 republikanëve besnikë të shtunën në Qendrën Muzikore të Qytetit të Neshvillit. Disa javë më vonë, ish-presidenti do të vizitojë shtetin e Alabamës për të kryesuar ngjarjen më të madhe të verës për republikanët në këtë shtet.

Zoti Trump, kryesuesi i hershëm i garës republikane, dhe guvernatori DeSantis, i cili e pason atë, nuk është se po i injorojnë votuesit në shtetet që nisin garën republikane. Gjatë muajit të kaluar, ata të dy kanë mbajtur tubime dhe ngjarje të tjera të mëdha në Ajova, Nju Hempshër dhe Karolinën e Jugut, ndonjëherë edhe duke u shfaqur në të njëjtin shtet në të njëjtën ditë.

Por ata po bëjnë më shumë se kandidatët e tjerë republikanë për të forcuar pozicionin e tyre në shtete si Tenesi dhe Alabama që do të mbajnë zgjedhjet e të ashtuquajturës Super e Marta. Kjo ditë ka numrin më të madh të delegatëve, të cilët kandidatët fitojnë shtet pas shteti.

Vetëm zoti Trump dhe zoti DeSantis, të cilët kanë grumbulluar dhjetëra miliona dollarë për të mbështetur fushatat e tyre, kanë burimet për të punuar përtej dy shteteve që shënojnë fillimin e procesit. Udhëheqësit e partisë republikane thonë se kjo është një strategji e zgjuar.

“Unë e di se të gjithë janë të përqendruar në Ajova dhe Nju Hempshër,” tha Scott Golden, kryetar i partisë republikane në Tenesi, i cili vuri në dukje se votimi i hershëm në shtetin e tij fillon në mes të shkurtit, përpara se Karolina e Jugut zhvillon primaret. “Por ia vlen të marrësh pak kohë për të ardhur në Tenesi”.

Për kandidatët presidencialë, Super e Marta është një datë kyçe – vitin e ardhshëm, ajo është më 5 mars – që mund ta çojë përpara ose t’i japë fund një fushate.

Të mbajtura jo shumë pas zgjedhjeve në shtetet e hershme si Ajova dhe Nju Hempshër, 14 garat primare mbahen në një zonë të gjerë gjeografike, nga Kalifornia dhe Teksasi në Masaçusets dhe Mein. Dita është gjithashtu një provë për aftësinë e një fushate për të organizuar mbështetësit, fuqinë e saj financiare dhe një shans për ata kandidatë që janë ende në këmbë për të kandiduar e për të marrë numrin më të madh të delegatëve të tyre.

Për shembull, në vitin 2016, dominimi i zotit Trump në”Super të Martën” sinjalizoi se biznesmeni dhe ylli televiziv kishte të ngjarë të ishte kandidati i partisë republikane. Presidenti Joe Biden fitoi në mënyrë të ngjashme Super të Martën në vitin 2020, duke detyruar shpejt shumicën e rivalëve të tij të mbetur të braktisnin garën.

Në këtë cikël, Donald Trumpi dhe Ron DeSantis kanë marrë mbështetje të rëndësishme në shtetet e Super të Martës, duke filluar të punësojnë personel dhe duke përgatitur mbështetësit të trokasin derë më derë për të nxitur votuesit.

Fillimi i hershëm pasqyron besimin e kandidatëve se ata do të jenë në garë në muajin mars, kur fushata zakonisht mbyllet. Sondazhet publike tregojnë se Donald Trumpi aktualisht kryeson ndjeshëm, i ndjekur nga DeSantis, me kandidatët e tjerë që mbeten pas. Ata përfshijnë ish-nënpresidentin Mike Pence, Senatorin e Karolinës së Jugut Tim Scott, ish-ambasadoren e Kombeve të Bashkuara Nikki Haley dhe ish-guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie.

Natyrisht, fitorja në zgjedhjet paraprake në shtetet e Super të Martës nuk është garanci për të fituar nominimin. Pas një hyrje të vonuar në garën presidenciale demokrate të vitit 2020, strategjia e miliarderit Mike Bloomberg ishte të anashkalonte garat e hershme dhe të fitonte në shtetet e Super të Martës. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut shpenzoi mbi 500 milionë dollarë, por përfundoi shumë pas zotit Biden në numrin e delegatëve.

Donald Trumpi dhe Ron DeSantisi nuk kanë qënë plotësisht të vetmit në shtetet e Super të Martës. Kandidatët, përfshirë ish-guvernatorin e Arkansasit, Asa Hutchinson, kanë udhëtuar në Kaliforni dhe shtete të tjera. Ambasadorja Haley është ndër ata që shkuan në Teksas për të vizituar kufirin e saj me Meksikën. Por fushatat e tyre kanë qenë pothuajse të fokusuara vetëm në shtetet e hershme.

Zoti Pence, një i krishterë evangjelik, e ka përqendruar kryesisht në Ajova fushatën, ku një pjesë e madhe e votuesve kryesorë republikanë janë evangjelikë. Zoti Christie po mbështetet te votuesit me bindje të pavarura në Nju Hempshër për të mbështetur kandidaturën e tij anti-Trump, ndërsa zonja Haley dhe senatori Scott shpresojnë për rezultate të mira në shtetin e tyre të Karolinës së Jugut, i cili voton 10 ditë përpara Super të Martës.

Kandidatët Trump dhe DeSantis kanë para për të zhvilluar një fushatë më të gjerë. Donald Trumpi do të raportojë se ka grumbulluar mbi 35 milionë dollarë vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, tha fushata e tij, ndërsa fushata e zotit DeSantis tha se ai grumbulloi 20 milionë dollarë në vetëm gjashtë javë pasi shpalli kandidaturën.

Donald Trump hyri zyrtarisht në garë me avantazhin e madh të kandidimit dhe fitimit të garave në këto shtete më parë, dhe fushata e tij në shumë prej tyre nuk ka të ndalur që kur humbi zgjedhjet e vitit 2020. Në vitin 2021, për shembull, Donald Trumpi mbajti një tubim të titulluar “Save America” në Alabama që partia republikane tha se tërhoqi rreth 50,000 njerëz.

“Banorët e Alabamës kanë një marrëdhënie të veçantë me Donald Trumpin,” tha kryetari i Partisë Republikane në Alabama, John Wahl, duke vënë në dukje se zoti Trump fitoi me lehtësi zgjedhjet republikane në vititn 2016, kur ai ishte në garë me senatorët Ted Cruz nga Teksasi dhe Marco Rubio nga Florida për të fituar emërimin./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!