Presidenti Donald Trump ka rënë dakord për të mbajtur trupat amerikane në Siri edhe për pak kohë, për të mposhtur Shtetin Islamik. Megjithatë, në mbledhjen e Këshillit për Sigurinë Kombëtare, kreu i shtetit ka ritheksuar se tërheqja e trupave nuk duhet të vonojë. “Trump nuk ka aprovuar një tërheqje me afate të caktuara, por as nuk ka treguar vullnet për një angazhim afatgjatë”, ka thënë një zyrtar i administratës për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Sipas burimit, Presidenti do që të sigurohet që militantët e Shtetit Islamik të jenë mposhtur, por dëshiron që vende të tjera të rajonit dhe Kombet e Bashkuara të marrin përgjegjësinë për garantimin e stabilitetit të vendit. Trump e shprehu dëshirën e tij për t’u larguar nga Siria në një fjalim të mbajtur javën e kaluar në Ohajo. Edhe të martën, në një konferencë për shtyp me liderët e vendeve baltike, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë arritur suksese në luftën kundër ISIS, por shtoi se, “ndonjëherë është koha të kthehemi në shtëpi”.
Por këshilltarët e tij për sigurinë i kanë kërkuar atij me ngulm që të mbajë të paktën një prani të vogël ushtarake, e cila përveçse të kujdeset për asgjësimin e militantëve të parandalojë që presidenti sirian Bashar al Assad dhe aleatët e tij, Irani, Turqia dhe Rusia të fitojnë terren. Shtetet e Bashkuara po kryejnë sulme ajrore në Siri dhe kanë dërguar rreth 2 mijë trupa në terren, përfshirë forcat speciale, të cilat kanë ndihmuar milicinë kurde dhe fraksione të tjera pro-amerikane të marrin nën kontroll territore të kontrolluara nga Shteti Islamik./abcnews.al