Trump bën një hap prapa  për marrëveshjen e klimës

schedule12:54 - 11 Janar, 2018

schedule 12:54 - 11 Janar, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump duke folur për Marrëveshjen e Parisit mbi klimën, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin të jenë sërish pjesë e saj. Trump theksoi se Marrëveshja e Parisit, ashtu siç u nënshkrua, nuk ishte e drejtë për Shtetet e Bashkuara, ndaj, në teori, Uashingtoni mund t’i rikthehet asaj për një rishikim. Ndërkohë, ai është ndalur edhe tek çështja e emigracionit, duke e vënë theksin tek muri me Meksikën. Trump këmbënguli se nuk do të firmosë asnjë marrëveshje për emigracionin pa u ndërtuar muri përgjatë kufirit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i është referuar kështu marrëveshjes së përfolur mes republikanëve dhe demokratëve për të punuar për një ligj që përfshin sigurinë e kufijve, llotarinë për vizat, mbikëqyrjen e fluksit të emigracionit dhe programin për ata që synojnë “ëndrrën amerikane”. Presidenti ka nënvizuar se muri me Meksikën është i nevojshëm për arsye sigurie dhe siguria për administratën e tij është prioriteti numër një. Më tej Trump mohoi mundësinë për një marrje në pyetje të tij në lidhje me skandalin e njohur si “Russiagate”. Ai është shprehur shkurt duke thënë se, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë. Sipas tij, kur nuk është konstatuar asnjë përfshirje, në asnjë nivel të stafit të tij, si rrjedhojë nuk ka arsye që presidenti duhet të intervistohet./abcnews.al