Presidenti Amerikan, Donald Trump deklaroi se Bashkimi Europian është krijuar për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; e kjo për faj të qëndrimit të ish-presidentëve amerikanë.
“Bashkimi Europian është krijuar për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ka qenë kjo deklarata e Presidentit amerikan Trump, i cili shtoi se nuk ishte faji i BE-së, por i ish-presidentëve amerikanë. Gjatë një takimi elektoral në Michigan, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se tashmë gjërat do të ndryshojnë dhe ato ditë kanë mbaruar. Por gjithsesi duhen hapur tregjet, pasi situata aktuale, sipas Trump, është e padrejtë.
Fjalët e tij vijnë në një moment kur Berlini, Parisi dhe Londra kanë përsëritur qëndrimin e tyre kundër tarifave të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për aluminin dhe hekurin. Kancelarja gjermane Merkel, Presidenti francez Macron dhe Kryeministrja britanike May kanë rënë dakord që të kenë një qëndrim të përbashkët pas një bisede telefonike. Në rast se këto tarifa do të hyjnë në fuqi Bashkimi Europian do të reagojë që të mbrojë interesat e tij./abcnews.al