Trump anashkalon përsëri darkën me gazetarët: Armiq të popullit

schedule16:44 - 29 Prill, 2018

schedule 16:44 - 29 Prill, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump përsëri nuk ka marrë pjesë në darkën tradicionale të gazetarëve të akredituar në Shtëpinë e Bardhë. Nga ana tjetër, korrespondenti i Rojters, theksoi se mediat nuk janë armiq të popullit.

Presidenti amerikan Donald Trump anashkaloi përsëri darkën e korrespondentëve, duke shënuar një fazë të re në marrëdhëniet e tij të stuhishme me mediat. Që nga inaugurimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka sulmuar vazhdimisht mediat, duke i quajtur “të pandershme”, “armiq të popullit” dhe “parti opozitare”. Duke ju drejtuar gazetarëve dhe të personazheve të njohura në Uashington, korrespondenti I Rojters në Shtëpinë e Bardhë, Jeff Mason, mbrojti profesionin e tij duke thënë se “puna jonë është të tregojmë faktet dhe t’I rikujtojmë udhëheqësve përgjegjësitë e tyre”. “Ne nuk jemi Fake News, ne nuk jemi armiku i popullit amerikan”, tha Mason.

Pra, në vend që të përballet në Uashington me përfaqësuesit e mdiave, ndaj të cilave nuk ndalon denigrimin, Presidenti amerikan zgjodhi këtë vit të shkojë në një takim me votuesit e tij në Miçigan. Është viti i dytë me radhë që manjati dezerton darkën vjetore të gazetarëve të akredituar në Shtëpinë e Bardhë (vitin e kaluar ai fluturoi në një takim në Pensilvani), që tradicionalisht është shkëmbim batutash midis një komediani dhe presidentit para një numri të madh audience ku shfaqen shpesh yjet e Hollivudit. “Pse duhet të mbyllem në një dhomë me një grup njerëzish të majtë që më urrejnë?”, është qëndrimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë të bërë publik nga partia republikane.

Trump ndoqi një darkë të korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2011, por si një mysafir: Presidenti i atëhershëm amerikan Barak Obama e ngacmonte atë për të shprehur një teori që vinte në dyshim vendlindjen e Obamës dhe prandaj legjitimitetin e tij për të drejtuar vendin. Ndërkohë darka gala është organizuar që nga viti 1920 dhe asnjëherë më parë nuk e ka braktisur një president amerikan (e vetmja herë që ndodhi në vitin 1981, kur Ronald Reagan nuk mundi të merrte pjesë pasi ishte plagosur gjatë një atentati.

Trump edhe të dielën vazhdoi të sulmonte mediat, duke nënvizuar se sa i mirë ishte tubimi që ai mbajti në Michigan, në krahasim me ngjarjen e gazetarëve. “Të gjithë flasin për faktin se darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë ishte një dështim i madh dhe i mërzitshëm”, shkruan Trump në një mesazh në tuiter duke nënvizuar se darkën e vitit që vjen duhet ta organizojë një prezantues i Fox News. /abcnews.al