Mbrojtja është i vetmi sektor ku qeveria e Shteteve të Bashkuara ka përjashtuar shkurtimet financiare. Ndryshe nga fushat e tjera, ku sipas administratës amerikane po shtrëngohet rripi, presidenti Trump ka dorëzuar në Kongres kërkesën për 750 miliardë dollarë për të vijuar reformimin e ushtrisë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur planet për t’i kërkuar Kongresit 750 miliardë dollarë shpenzime për sektorin e mbrojtjes për vitin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i administratës amerikane për agjencinë “Reuters”, i cili ka theksuar se ndërsa shpenzimet për Pentagonin ngjiten, në sektorët e tjerë të qeverisë po “shtrëngohet rripi”. Trump, i ndodhur përballë deficitit buxhetor më të lartë në 6 vitet e fundit, udhëzoi kabinetin e tij më herët gjatë vitit që të përgatiste planet për shkurtimin e shpenzimeve me 5 për qind, me përjashtim të ushtrisë.
Shifra prej 750 miliardë dollarë është edhe më e lartë se ajo prej 733 miliardë që Pentagoni pret të lëvrohet për vitin fiskal 2020, si dhe shumë më tepër se 700 miliardë, kuotë kjo e cituar nga vetë Trump në tetor. Duke folur në kushte anonimati, zyrtari amerikan tha se sekretari i Mbrojtjes, Xhim Metis kishte diskutuar në ditët e fundit buxhetin e ushtrisë me kreun e shtetit dhe kishte nënvizuar rrezikun që rrjedh nga shkurtimi i shpenzimeve. “Ishte e qartë se gjatë takimit kokë më kokë Trump shprehu synimin për të intensifikuar progresin që administrata e tij ka arritur në reformimin e ushtrisë. Në gusht, shefi i Shtëpisë së Bardhë nënshkroi një draft prej 716 miliardë dollarësh për politikat e mbrojtjes. Sidoqoftë, zyra e tij ka refuzuar të komentojë shifrën e fundit prej 34 miliardë më shumë./abcnews.al

