Tronditje dhe trishtim në rajonin e Kievit nga pasojat e agresionit rus

schedule17:32 - 5 Prill, 2022

schedule 17:32 - 5 Prill, 2022

Pas tërheqjes së forcave ruse nga qytetet përreth kryeqytetit ukrainas, Kievit, banorët thonë se janë thellësisht të trishtuar nga vdekja dhe shkatërrimi që po shohin. Qeveria ukrainase ka thënë se provat në terren tregojnë se Rusia ka kryer krime lufte. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock njofton nga Kievi dhe Vinitsia në Ukrainë.

Një pjesë territori në kryeqytetin ukrainas, Kiev, është caktuar për të varrosur dhe nderuar civilët dhe ushtarët e vrarë në betejat e fundit dhe viktimat e ardhshme të mundshme të luftës.

Gjatë fundjavës, ndërsa Ukraina njoftoi se kishte rimarrë kontrollin e zonave përreth kryeqytetit, dolën njoftime të tmerrshme për vdekjen e qindra civilëve. Shumë trupa kishin mbetur në rrugë.

Të dielën, një zjarr gjigand shpërtheu në qytetin port jugor të Odesës, pasi sulmet ajrore ruse goditën një fabrikë përpunimi të naftës dhe depot e karburantit përreth qytetit.

Drejtori i varrezës në Kiev, thotë se luftimet mund të përqendrohen tani në lindje dhe në jug, por mendon se paqja relative në kryeqytet është e përkohshme.

Që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, 30 raketa kanë goditur këtë varrezë.

“Është e pamundur të ndihesh i sigurt këtu. Për shembull, më 2 mars gjatë përshkallëzimit në Buça, bombat goditën varrezat vetëm 100 metra larg nga punëtorët. Ata u fshehën brenda varreve dhe pas goditjes vazhduan të gërmonin”, thotë Klymniuk Volodymyr, drejtori i varrezës.

Vendasit thonë se janë të tronditur dhe zemërthyer nga vdekja dhe shkatërrimi. Kievi vazhdon të jetë një grumbull barrikadash dhe mbetjet e ndërtesave të bombarduara ende gjenden aty ku u shembën pasi u goditën.

Rusia thotë se është tërhequr nga Kievi, por disa besojnë se do të vazhdojë të sulmojë në rajone të tjera.

“Nuk u besoj atyre. Mendoj se po riorganizohen dhe mund të jetë edhe më keq nëse Rusia zhvendos më shumë trupa në lindje. Nuk është e lehtë për ushtarët ukrainas të mbrojnë ato rajone”, thotë Iryna Sherbaniuk, banore e Kievit.

Në pjesën perëndimore të vendit, ku sirenat e sulmeve ajrore dëgjohen çdo ditë edhe pse sulmet janë të rralla, zyrtarët thonë se qeveria po përgatit civilët për t’i bërë ballë betejës.

“Ne ofrojmë lloje të ndryshme trajnimesh. Ndihma e parë, stërvitje për sulm kimik, udhëzime për sulmin ajror, aftësi mbrojtëse, përfshirë mbrojtjen e ndërtesës ku ndodhemi tani, bashkisë së qytetit”, thotë Serhii Morhunov, Kryetar i Bashkisë së Vinitsias.

Një shkollë në Vinitsia po përdoret për të strehuar familjet që janë pjesë e miliona të zhvendosurve në Ukrainë. Shumë thonë se janë të zemëruar.

“Nëse është e nevojshme, do t’i luftojmë ata me duart tona dhe do t’i shkatërrojmë për vrasjen e fëmijëve tanë dhe gjithçka tjetër që kanë bërë”, thotë Tatiana, një fermere e zhvendosur.

Lufta në Ukrainë ka detyruar rreth 10 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe Kombet e Bashkuara thonë se afërsisht gjysma e tyre janë fëmijë. Qeveria ukrainase thotë se vrasjet masive në Buça dhe qytete të tjera pranë Kievit duket se janë “krime lufte”./VOA