Policia italiane ka zbuluar bisedat midis 20 minoreneve të moshave 13 dhe 17 vjeç të cilët kishin shkëmbyer foto dhe video me përmbajtje të dhunshme dhe mizore. Hetimi, i koordinuar nga prokuroria e të miturve në Firence, erdhi pas ankesës së një nëne. Ajo kishte zbuluar video të dhunshme madje dhe pornografi me fëmijë në celularin e djalit të saj 15 vjeçar., shkruan Tgcom 24.
Videot përmbanin gjithashtu pamje të frikshme të tentativave për vetëvrasje, prerje të gjymtyrëve të njerëzve dhe kafshëve dhe pornografi me fëmijë, të cilat janë shkëmbyer midis personave të tjerë përmes Whatsapp, Telegram dhe rrjeteve të ndryshme sociale.
Prej më shumë se 5 muaj hetimesh, policët identifikuan subjektet të cilët ruanin dhe shkëmbenin imazhe apo video pornografike me fëmijë. Pas verifikimit të provave, Gjykata e të Miturve në Firence dha menjëherë urdhrin e arrestit për të miturit në akuzën e “veprimtarive kriminale”.
Më i “rrituri” i grupit sapo kishte mbushur 17 vjeç, ndërsa më i vogli është 13 vjeç. Gjithashtu janë sekuestruar celularë dhe kompjuterë, që i përkisnin të miturve.
Ekspertët e policisë aktualisht po kryejnë analiza të mëtejshme për të gjitha mjetet e sekuestruara me qëllim gjetjen e provave të reja dhe verifikimin e përfshirjes së subjekteve të tjera./abcnews.al