Vrasja e gjeneralit më të lartë iranian, Qassem Soleimani, gjatë një sulmi ajror amerikan me dron në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdatit në Irak, ka qenë lajmi kryesor në të gjitha mediat botërore.
Soleimani, i njohur si një nga njerëzit më të fuqishëm në Lindjen e Mesme dhe numri dy i Iranit pas Ajatollah Komeinit, u vra orët e para të mëngjesit të djeshëm, teksa po udhëtonte me makinë, bashkë me disa ushtarë të personelit të tij.
Kjo ngjarje, e cila është cilësuar nga disa media si “vrasja e shekullit”, rrezikon nisjen e një konflikti ushtarak mes Iranit dhe SHBA-së.
Pas vrasjes së Soleimanit, Irani u betua për një hakmarrje të ashpër
Këto zhvillime të bujshme i ka komentuar edhe ish-drejtori i përkohshëm i CIA-s, Michael Morell.
Në një intervistë për CBS, Morell theksoi se SHBA-ja do të paguajë një çmim të rëndë për vdekjen e gjeneralit iranian.
Ai tha se do të ketë civilë amerikanë të vdekur, të cilët mund të vriten gjatë ditëve në vazhdim.
Soleimani ishte një gjeni i keq që kishte shumë gjak amerikan në duar.
Bota është një vend më i mirë pa të, por problemi është se do të paguhet një çmim i rëndë nga SH.B.A.
Së pari, do të ketë amerikanë të vdekur, civilë të vdekur amerikanë. Mund të ndodhë në ditët e ardhshme në vendet ku Irani ka ndihmësit e tij. Me shumë mundësi në Irak por edhe në Liban, Bahrein dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme.
Ndër të tjera, ish-kreu i CIA-s paralajmëroi një sulm terrorist me qëllim vrasjen e ndonjë zyrtari të lartë amerikan, gjë e cila mund të ndodhte kudo, madje edhe në SHBA.
“Ata (iranianët) do të kryejnë një sulm terrorist, me qëllim vrasjen e një zyrtari të lartë amerikan. Kjo mund të ndodhë kudo në botë, madje dhe në tokën amerikane”, shtoi ai. /abcnews.al