E kanë shumë të qartë se nuk kanë arritur asgjë. Fitorja 2-1 qoftë edhe jashtë fushe nuk të jep një avantazh vendimtar në Champions, sidomos tani pasi u hoqi rregulli I golit si mik, por gjithsesi tek Interi janë shumë të lumtur.
T’ia dalësh në Mynih ndaj Bajernit nuk është aspak e zakonshme, edhe pse precedenti I vitit 1988 tremb mjaft. E thënë kjo, duhet pohuar se zikaltërit bënë një heroizëm të vërtetë, duke bindur në radhë të parë veten e pastaj të tjerët se janë kandidatë për titull.
Kapiteni Lautaro Martinez kaloi italianët në epërsi në 38’, pastaj veterani në largim Tomas Myler barazoi për gjermanët. Gjithsesi, Davide Fratezi vulosi shifrat 2-1 për miqtë dy minuta para fundit.
“Inter përrallor, – shkruan e përditshmja kryesore sportive italiane, “La Gazeta delo Sport”, – Champions, 2-1 në Mynih! Tani ëndërrojmë!” “Il Korriere delo Sport” bën lojë fjalësh me emrin e trajnerit Inzagi dhe titullon: Inter për të shkulur flokët, fundoset Bajerni!”
A e meritoi Interi?
Edhe pse Bajerni bëri më shumë, me dyfishin e gjuajtjeve, me gati 60 për qind mbajtje topi dhe kornet 5-1, sërish italianët u treguan skuadër e bashkuar, duke përballuar presionin.
Këtë e pohon edhe trajneri Simone Inzagi.
“Djemtë u treguan shumë të zotët. Ishin të vendosur, agresivë dhe shpenzuan shumë energji. Bënë atë që duhej të bënin, atë që unë kërkova. Vërtet që kemi arritur një rezultat të madh, por mbi të gjitha kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Ne e dimë se javën e ardhshme do të jetë sërish shumë e vështirë, por gjithsesi do të kemi një avantazh të vogël, që do të përpiqemi ta shfrytëzojmë në “San Siro”.
Ylli kuqezi, Kristian Asllani, nuk ishte fare këtë herë pjesë e zikaltërve, për shkak pezullimi, dhe shpreson të ketë minutazh në kthim, të mërkurën e 16 prillit. Interi është më pranë gjysmëfinaleve dhe një nga pretendentët kryesorë në këtë Champions të çmendur./abcnews.al