“Triumf” tjetër i reformës në drejtësi, pas KLP ngrihet KLGJ

schedule22:33 - 12 Dhjetor, 2018

schedule 22:33 - 12 Dhjetor, 2018

Njëzet e katër orë pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjyqtarët e vendit mundën të ngrinin Këshillin e Lartë Gjyqësor. Më shumë se dy vjet nga ndryshimet kushtetuese për llogari të Reformës në Drejtësi gjyqtarët votuan për gjashtë përfaqësuesit e tyre në qeverinë e gjyqësorit.

Në këtë Këshill, formimi i të cilit pushon ekzistencën e Këshillit të Lartë të Drejësisë, gjykata e Shkallës së Parë do të përfaqësohen nga gjyqtari i Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj , gjyqtarja e Tiranës, Brunilda Kadi dhe gjyqtarja e Kurbinit, Marccela Shehu. Kjo e fundit u zgjodh pa garë. Ajo ishte kandidate e vetme për një pozicion të rezervuar për gjyqtarët e Shkallës së Parë jashtë Tirnaës.

Për dy përfaqësuesit nga Gjykata e Apelit, Ilir Toska nga Apeli Tiranë triumfoi ballë koleges së tij Nertina Toska të Apelit të Krimeve të Rënda. Ndërsa gjyqtarja e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj u votua nga kolegët si e vetma kandidate nga rrethet. Garë nuk ndjeu as gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Medi Bici, i vetmi kandidat për anëtarin nga kjo gjykatë në KLGJ.

Zgjedhjet e gjyqtarëve u përshëndetën nga përfaqësues të Bashkimit Europian dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Por gjithçka u vëzhgua edhe nga përfaqësues të opozitës në vend.

Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, si një nga institucionet më të rëndësishëm të drejtësisë së reformuar zhbllokon një sërë kompetencash të ngrira për KLD-në. Pas konstituimit, KLGJ emëron, vlerëson dhe tansferon gjyqtarët, si është organi që i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, ç’ka do të rikthente në funksion këtë gjykatë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!