Tritol fasonerisë së italianit/ Autori lëvizi me biçikletë. Pista kryesore e hetimit

schedule10:24 - 26 Maj, 2023

schedule 10:24 - 26 Maj, 2023

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me shpërthimin me tritol në një fasoneri, në pronësi të një biznesmeni italian në Tiranë, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së enjtes.

Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raportoi se autori i ngjarjes, është afruar me biçikletë, vendosi lëndën plasëse dhe më pas u largua.

Biznesmeni italian deklaroi në polici se dyshon se shkak për shpërthimin mund të jetë konkurrenca, teksa sipas uniformave blu, pista kryesore që po hetohet, është ajo e një kërcënimi të mundshëm.

“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:00, pati një shpërthim me tritol, me lëndë plasëse në derën e fasonerisë, në pronësi të një biznesmeni italian. Një fasoneri e cila prodhonte këpucë. Sipas burimeve të policisë, ishte një sasi e vogël tritoli, ishte vendosur në pjesën e shkallëve dhe të bordurës ku kati i parë i këtij pallati 7-katësh, është i përshtatur me dyqane dhe fasoneri. Ende nuk është përcaktuar sasia e lëndës plasëse. Sipas banorëve të zonës, shpërthimi ishte tejet i fuqishëm. Ka dëme materiale. Ditën e sotme, ka nisur puna qetësisht nga punonjëset në këtë fasoneri.

Mësohet se autori është afruar dhe larguar më pas me një biçikletë, pak metra më tej, në rrugën kryesore është mësuar se autori ka lëvizur me biçikletë. Nga ana tjetër, sipas burimeve të policisë, pista kryesore që po hetohet, është ajo e një kërcënimi të mundshëm. Biznesmeni italian është marrë në pyetje që mbrëmjen e djeshme. Nuk ka probleme me drejtësinë. Biznesmeni italian ka ngritur dyshimet e tij në lidhje me konkurrencën, për të cilin mund të jetë shkak për ngjarjen. Policia, në sajë të informacioneve, ka konkluduar se biznesmeni italian në vendin tonë ka konflikte të hapura me persona të tjerë, por për shkak të hetimit, nuk japin të dhëna konkrete deri në momentin që do të ketë një pistë zyrtare apo identifikim të autorit”, raportoi gazetarja Kodra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!