“Trishtim për humbjen e Kadaresë”, ministri Hasani: Një shqiptar i madh, trashëgimia e tij do të vazhdojë të na frymëzojë

schedule12:54 - 1 Korrik, 2024

schedule 12:54 - 1 Korrik, 2024

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka reaguar lidhur me vdekjen e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e ka konsideruar humbjen e shkrimtarit një trishtim shumë të madh për vendin tonë.

Sipas Hasanit, shkëlqimi letrar i Kadaresë i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë.

Ai ka theksuar se trashëgimia e Kadaresë do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na lidhë të gjithëve.

“Trishtim për humbjen e Ismail Kadaresë, një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane. Shkëlqimi i tij letrar i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Veprat e tij magjepsën miliona lexues në mbarë botën, duke e cilësuar padyshim si shkrimtarin më të madh dhe më me ndikim shqiptar të kohës sonë.

Në atdhe, kryeveprat e Kadaresë kanë qenë shoqërues të vazhdueshëm për breza, duke shërbyer si fener shprese dhe krenarie në kohëra të errëta dhe më të ndritshme. Mendimi dhe urtësia e tij intelektuale shërbyen si drita udhëzuese, gjithmonë drejt përparimit dhe emancipimit.

Një shqiptar i madh, një kolos i Ballkanit, një evropian i dalluar! Trashëgimia e tij do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na lidhë të gjithëve.

Pusho në paqe!”, ka shkruar ministri.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!