Trishtim në shkollën 9 vjeçare “Ndre Mjeda” në Shkodër. Nxënësit kanë vendosur lule në kujtim të dy motrave Ergesa dhe Gresi Arrazi, 9 dhe 8 vjeçe, që dyshohet se u hodhën nga ura e lumit Buna së bashku me nënën Alma Arrazi, trupi i së cilës dhe i të birit 3 vjeçar ende nuk është gjetur nga polumbarët.
“Jemi pa fjalë”, shprehen prindërit e fëmijëve, me të cilët dy vajzat kanë qenë në shkollë.
“Vajza ime është e vogël të kuptojë ngjarje të tilla. Uroj të mos ndodhin më”, shprehet një nga prindërit.
Trupi i 8 vjeçares u gjet pasditen e së hënës ndërsa vazhdojnë kërkimet edhe për nënën dhe djalin 3 vjeçar. Polumbarët, Forcat e Armatosura dhe banorët e zonës i kanë përqendruar kërkimet pranë vendit të quajtur “Rrjetat e peshkatarëve”, gati 300 m larg urës së Bunës ku dyshohet se kryen aktin ekstrem.
Prokuroria e Shkodrës, në një deklaratë për shtyp pasditen e së hënës, deklaroi se Alma Arrazi është takuar me kunatën e saj në një lokal në lagjen “Iliria” në Shkodër, pasditen e datës 2 maj. Më pas, sipas dëshmisë se kunatës, rreth orës 20.10, gruaja ka dalë nga lokali dhe ka marrë rrugën drejt Urës së Bunës.
Sipas prokurorisë, dyshohet se 39 vjeçarja ka ndërmarrë aktin ekstrem së bashku me fëmijët për shkak të dhunës së vazhdueshme psikologjike, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore nga ana e partnerit të saj Ergys Arrazi, duke prekur rëndë dinjitetin e saj./abcnews.al