Tripier dashurohet me Atleticon: Tifozët më mahnitën, ju tregoj sekretin tonë!

schedule19:00 - 19 Shtator, 2019

schedule 19:00 - 19 Shtator, 2019

Atletico Madrid është një ekip që nuk dorëzohet kurrë dhe diçka të tillë e konfirmoi mbrëmjen e kaluar kundër Juventusit. Ekipi i Sarrit po udhëhiqte 0-2, por klubi kryeqytetas barazoi gjithçka në 20 minutat e fundit.

Atmosfera në “Wanda Metropolitana” ishte e pabesueshme dhe tifozët ndihmuan shumë Atleticon të “ringjallej” pas dy golave të Cuadrados dhe Matuidi. Kieran Trippier u largua nga Totenhemi në merkaton e verës dhe zgjodhi të vazhdonte karrierën në Madridin bardhekuq.

Mbrojtësi i djathtë i kombëtares angleze po përshtatet me ekipin e ri dhe skemat e Diego Simeones. Kundër Juves ishte tepër aktiv në fazën sulmuese dhe goli i Herrerës në minutën e fundit i lumturoi të gjithë.

Atmosfera në Angli është fantastike, por 29-vjeçari ka mbetur i mrekulluar nga tifozët iberikë dhe karakteri i shokëve të tij, të cilët nuk u dorëzuan në asnjë moment.

Ne nuk u ndalëm, nuk pushuam asnjë sekondë dhe vazhduam të sulmonim me besim. Ky është mentaliteti i duhur. Nuk e kishim aspak të thjeshtë kundër Juventusit, por jam befasuar që nga dita e parë nga mentaliteti i shokëve dhe trajneri Simeone.

Ne nuk e ulim kurrë ritmin në stërvitje dhe diçka e tillë pasqyrohet në ndeshje. E dinim se do kishim shanset tona pas rezultatit 0-2. Tifozët ishin të mrekullueshëm dhe na dhanë një dorë të madhe. Nuk e kisha përjetuar kurrë një atmosferë të tillë”, thekson mbrojtësi anglez për “The Guardian”. /abcnews.al