Tregu rajonal, Banka Botërore: Domosdoshmëri, heqja e barrierave

schedule14:21 - 17 Tetor, 2023

schedule 14:21 - 17 Tetor, 2023

Krijimi i një tregu rajonal dhe heqja e barrierave do të sillte një rritje ekonomike me gati 3 % për vendet e Ballkanit. Banka Botërore ka publikuar një raport ku thekson se Integrimi ekonomik është një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike si dhe krijimit të vendeve të punës.

Ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të materializojnë këtë shans nëse do të arrijnë të adresojnë çështjet që lidhen me barrierat në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve tha Antonella Bassani, zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.

“Ballkani Perëndimor ka përpara një mundësi të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar një treg prej 450 milionë banorësh në Bashkimin Evropian. Përvoja në mbarë botën, përfshirë Ballkanin Perëndimor, ka treguar se në mënyrë që firmat të rriten dhe arrijnë të përdorin ekonomitë e shkallës, është thelbësore që ato të hyjnë në tregjet ndërkombëtare”. “Integrimi ekonomik ofron një rrugë të shpejtë për adoptimin e teknologjive të reja, në rrjedhën e ideve të reja dhe inovacioneve si dhe për kalimin drejt produktivitetit më të lartë që përbën themelin e rritjes ekonomike në ekonomitë me të ardhura të mesme”.

Aktualisht, shoferët e kamionëve humbasin çdo vit rreth 26 milionë orë – gati 3000 vite – gjatë kalimit në pikat kufitare në Ballkanin Perëndimor.Ndërkohë Anëtarësimi në Bashkimin Europian thuhet në raport do të sillte një rritje shtesë me gjashtë për qind të përfitimeve. Për më tepër, vendet fqinje të Bashkimit Europian si Rumania, Hungaria dhe Bullgaria mund të përjetojnë rritje me rreth 0.2 për qind të përfitimeve si rezultat i rritjes së aktivitetit tregtar me Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore ka filluar të punojë tashmë me partnerët për të lehtësuar tregtinë dhe transportin në rajon përmes investimeve dhe reformave. Ajo po mbështet gjithashtu ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në procesin e përafrimit të sistemeve të tyre të pagesave me standardet e Bashkimit Europian. Zëvendës Presidentja e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore do të zhvillojë në Shqipëri një sërë takimesh me zyrtarë të lartë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!