Tregu i sigurimeve “tkurret” nga pandemia, AMF: Ulet me 28% numri i kontratave të reja

schedule16:02 - 1 Shtator, 2020

schedule 16:02 - 1 Shtator, 2020

Nga Erblina Mile

Kontratat e reja të sigurimeve në vend kanë pësuar një rënie me rreth 28% në 7 muaj të 2020.

Problemet ekonomike dhe kriza për shkak të pandemisë kanë bërë që shqiptarët të  lidhin më pak kontrata.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën me dije se gjatë periudhës janar-korrik 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 524,347 me një ulje prej 28% krahasuar me periudhën janar-korrik 2019.

Mesa duket  tërmeti i 26 nëntorit ka ndërgjegjësuar shqiptarët për të rritur sigurimet për  pronën nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore.

Po ashtu në total në 7 muaj pagesa është me madhe sidomos për dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe arrin në 2,2 miliard lekë,  ose 48.29 % të totalit të dëmeve të paguara gjithsej.

Gjatë periudhës janar-korrik 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,5 miliard lekë në total.

Përsëri sigurimet vijojnë të jenë të orientuara tek ato të detyrueshme duke zënë  mbi 93 % të totalit të kontratave që bëhen në sektorin e sigurimit.

Vlen të theksohet se të ardhurat nga sigurimet e jetës gjatë periudhës janar-korrik 2020, arritën rreth 582 milionë lekë, ose rreth 20% më pak se në periudhën janar-korrik  2019.

Po ashtu edhe numri i kontratave motorike ka pësuar ulje.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!