Tregu i punës/ Ozuni: Degët universitare, ‘trampolinë’ për t’u larguar nga vendi. Pashaj: Arsyeja e largimit nuk është vetëm pagesa

schedule20:23 - 3 Nëntor, 2023

schedule 20:23 - 3 Nëntor, 2023

Të rinjtë po zgjedhin gjithnjë e më shumë degë që garantojnë punësim në fund të studimeve por edhe një pagë më të mirë. Këtë vit degët më të preferuara rezultuan ato që lidhen me teknologjinë, informatikën ndërsa mjaft të kërkuara vijojnë të mbeten edhe degë si financa, drejtësia, mjekësia por dhe arkitektura.

Lidhur me këtë u diskutua këtë të premte në emisionin “ Sheshi i Dollarit” në ABC News. Eksperti për çështjet e punësimit, Erald Pashaj thotë se të rinjtë kanë tendencën për të zgjedhur arsimin universitar. Eksperti ekonomik, Ferjolt Ozuni shtoi se informatika dhe mjekësia shihen si ‘trampolina’ për të ikur jashtë.

“Vitet e fundit ka filluar trendi masiv i profilit të informatikës dhe nën profileve që ka, duke u orientuar nga informatika e biznesit, ku bëhet një kombinim mes bazave ekonomike dhe njohurive informatike, dhe ky trend ka nisur sepse pjesa më e madhe e personave që kanë aplikuar për këtë profil kanë rezultuar të suksesshëm në largimin nga vendi. Informatika dhe mjekësia janë një ‘trampolinë’ për të shkuar më tutje. Është ky trendi dixhital nomad, i cili mund të kryejnë punën nga çdo cep i botës mjafton që të ketë një PC. Por shumë punë si informatika apo industria e rëndë nëpër botë ka nevojë për profesionistë, të cilët duhet të jenë në vendin e punës. Fakti që jep këtë lirshmëri për të punuar kudo është një avantazh se ndoshta nuk ka nevojë për të ndjenjur në Shqipëri por për të ikur jashtë”, theksoi Ozuni.

Pashaj thotë se një ndër arsyet pse të rinjtë largohen jashtë nuk është vetëm pagesa por edhe fakti që në Shqipëri nuk ka kompani që iu ofrojnë atyre zgjerimin e horizontit si Apple apo Google. Megjithatë, eksperti shtoi se disa sektorë në Shqipëri ofrojnë paga më konkurruese sesa vendet e rajonit.

“Hapësira që janë në vendin tonë janë më të limituara se në ato të zhvilluara. më të limituara se vendet e rajonit, si Serbia apo Maqedonia e Veriut. Që një i ri të gjejë punën që do duhet të ketë edhe kompani që ofron dhe hap horizonte. Pagesa mund të jetë në disa raste të mira, por nuk ke kompani të mirëfillta si Apple apo Google që iu japin mundësi më të mëdha. Një ndër arsyet që largohen nuk është vetëm pagesa, por është tjetër të punosh në një kompani lider për shembull të punosh në departamentin e teknologjisë së BMW-së në Mynih dhe të punosh në Shqipëri për një kompani. Kënaqësia që merr për të punuar në një kompani të madhe dhe horizontet që ke atje, personat që punojnë me teknologjinë janë të lidhur me gjërat e fundit që ndodhin. Pra ata intrigohen më shumë nga fakti se sa interesante është puna që bëjnë sesa thjesht vetëm pagesa. Kështu që ne në këtë situatë jemi të destinuar të mos jemi aq tërheqës sa vendet e tjera dhe kjo është një ndër arsyet pse ata largohen”, tha Pashaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!