Bashkia e Tiranës do të investojë 150 mijë dollarë për të ngritur një treg për rrobat e përdorura. Synimi është që aktualisht ata që e ushtrojnë këtë aktivit të shpërndarë në vende të ndryshme në kryeqytet të grupohen në zonën e Shkozës.
Të gjithë tregtarët e veshjeve të përdorura në Tiranë do të mblidhen në një treg të vetëm në zonën e Shkozës.
Bashkia ka hartuar projektvendimin “Hapja e tregut publik të rrobave të përdorura për nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore të Komunitetit Rom dhe Egjiptian”.
ABC News ka siguruar këtë projektvendim i cili synon t’i hapë rrugë ndërtimit të një tregu publik me kapacitet për deri në 120 tregtarë ambulantë. Një investim me vlerë 150 mijë dollarësh në pronën e bashkisë.
Aktualisht në kryqyetet janë identifikuar tetë vende në të cilat ushtrohet ky aktivitet. Tregtimi i veshjeve të përdorura, sipas bashkisë, ka qenë shpesh objekt i ankesave të qytetarëve, ndërsa sipas Institutit të Shëndetit Publik përbën një ngarkesë të madhe mikrobale në mjedis.
Ndërkohë në relacionin shoqërues të projektvendimit thuhet se “bashkia nuk synon t’i nxjerrë në rrugë tregtarët, por po u ofron formalizim dhe kushte tregtimi, sipas standardeve të lejuara.”
62% e shqiptarëve deklaruan në Anketën e Cilësisë së Jetës, të realizuar nga Komisioni Europian, se nuk arrijnë që të përballojnë blerjen e veshjeve të reja. Ndërkohë që në vitin 2017 në doganë, importet e veshjeve të përdorura arritën në 24 milionë euro, dyfishi i pesë viteve më parë referuar Institutit të Statistikave. Ndërkohë që vlera e shtuar e këtij biznesi vlerësohet të paktën tre herë më e lartë, duke arritur në mbi 70 milionë euro./abcnews.al