Zjarri që vrau 12 persona në Bronks të Nju Jorkut është shkaktuar nga një fëmijë që po luante me një sobë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet e qytetit amerikan. Mes viktimave janë edhe 4 fëmijë.
Hetuesit e qytetit të Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara besojnë se zjarri që përfshiu një godinë banimi 5-katëshe në Bronks, ku humbën jetën 12 persona, është shkaktuar nga një fëmijë që po luante me një sobë. Lajmi është konfirmuar nga mediat ndërkombëtare. Një djalë trevjeçar i pambikëqyrur aksidentalisht filloi zjarrin, tha komisioneri i departamentit të zjarrëfikësve Daniel Nigro. “Ndërsa nëna e fëmijës doli nga banesa, ajo la derën hapur, duke lejuar që zjarri të hyjë në korridor”, shtoi ai.
Shkallët më pas “vepruan si një oxhak”, duke lejuar që zjarri të përhapet me shpejtësi për në katet e mësipërme. Sipas autoriteteve, mes viktimave janë dhe 4 fëmijë të moshës nga 1 deri në 7 vjeç. Gjithashtu bëjnë me dije se mbi 160 zjarrfikës u angazhuan në përpjekjet për të fikur zjarrin dhe për të mos e lejuar përhapjen e tij.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, e cilësoi zjarrin si më vdekjeprurësin në qytet së paku prej 25 vitesh. Duke folur nga vendngjarja, ai theksoi se një shkollë pranë godinës ku shpërtheu zjarri, është kthyer në strehë për banorët e evakuuar. Sipas Kryebashkiakut, shërbimi zjarrfikës ka mundur të shpëtojë të paktën 12 persona nga flakët që kishin pëfshirë strukturën.
Ndërkaq, “Nju Jork Times”, bën me dije se godina përmbante më shumë se 20 apartamente dhe është ndërtuar mbi 100 vite më parë. Ky nuk është rasti i parë i një ngjarjeje të tillë në Nju Jork. Gjatë këtij muaji, një nënë dhe tre fëmijët e saj humbën jetën në një zjarr që përfshiu shtëpinë e tyre në Bruklin./abcnews.al
Gazetar i ABC News: Xhevahir Qardaku