Tre të vdekur dhe tre të plagosur nga sulmi që tronditi Danimarkën, s’përjashtohet mundësia e një akti terrorist

schedule07:32 - 4 Korrik, 2022

schedule 07:32 - 4 Korrik, 2022

Të shtënat me armë në një qendër tregtare në Kopenhagen kanë lënë të vdekur tre persona, thanë autoritetet lokale të dielën. Disa të tjerë janë plagosur, ndërsa tre persona janë shtruar në spital në gjendje kritike.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme brenda Field’s, një qendër tregtare në kryeqytetin danez . Pamjet e mediave sociale treguan njerëz që vraponin nëpër qendrën tregtare dhe oficerët e zbatimit të ligjit të armatosur rëndë në vendngjarje.

Në një konferencë për shtyp të hënën herët në mëngjes, kreu i policisë së Kopenhagës, Soren Thomassen tha se viktimat ishin “një burrë rreth të 40-tave dhe dy të rinj”.

Një i ri danez është arrestuar, sipas Thomassen, dhe aktualisht është i vetmi i dyshuar.

Policia daneze njoftoi se nuk e përjashtonte mundësinë se mund të bëhej fjalë edhe për një “akt terrorizmi”.

“Ne jemi të bindur se i dyshuari 22-vjeçar i arrestuar ka qenë ai që ka qëlluar, ai mbante një pushkë dhe municion”, tha ai.

“Hetuesit besojnë se i dyshuari nuk ishte duke bashkëpunuar me të tjerët, por që derisa të jenë absolutisht të sigurt se nuk do ta përjashtojnë asnjë pistë”.

Policia e arrestoi të dyshuarin trembëdhjetë minuta pasi mori thirrjen e parë urgjente për të shtënat, tha Thomassen.

Dëshmitari okular Joachim Olsen, një ish politikan dhe atlet danez, i tha CNN se ishte duke shkuar për në një palestër brenda Field’s kur pa grupe të mëdha njerëzish që dilnin nga qendra tregtare.

“Ngjante me të shtënat në shkollën në SHBA, njerëz që dilnin me duart mbi kokë”, tha Olsen.

Një zëdhënës i Rigshospitalet, spitali më i madh i Danimarkës, i tha CNN se spitali kishte thirrur staf shtesë për t’u marrë me urgjencën.

Policia daneze tha të dielën se kishte evakuuar mijëra persona nga vendi i Royal Arena pranë qendrës tregtare. Arena ishte planifikuar të mbante një koncert të Harry Styles, por ky u anulua pas të shtënave.

Në një deklaratë të dielën mbrëma, kryeministrja daneze Mette Frederiksen u shprehu ngushëllime të plagosurve, të afërmve të tyre dhe të viktimave, si dhe “të gjithë danezëve që ishin afër këtyre ngjarjeve të frikshme”.

Dhuna me armë është relativisht e rrallë në Danimarkë. Incidenti i fundit i madh i të shtënave në Kopenhagen ishte në vitin 2015, kur një person i armatosur sulmoi një forum të fjalës së lirë që shfaqte karikaturistin kontrovers Lars Vilks, duke vrarë një person dhe duke plagosur tre të tjerë./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!