Shtetet e Bashkuara po i dhurojnë Tajvanit 750 mijë vaksina, si pjesë e planit të Uashingtonit për të shpërndarë doza në të gjithë botën. Kjo sasi e dhuruar është një ndihmë e madhe për ishullin, i cili po lufton me një rritje në rastet me koronavirus.
Senatorja demokrat Tammy Duckworth nga Ilinoisi, bashkë me dy kolegët e saj: demokratin Christopher Coons nga Delauer dhe republikanin Dan Sullivan nga Alaska ishin për një vizitë tre orëshe në ishull.
Tre senatorët amerikanë thanë se vizita e tyre tregon se Tajvani ka mbështetjen dypartiake të SHBA. Tajvani përballet me një mungesë vaksinash dhe ka rëndësi gjeopolitike për Uashingtonin.
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-Wen tha se vaksinat do të ishin një ndihmë e madhe në luftën e tyre kundër virusit.
“Ne jemi shumë mirënjohës për administratën Biden që na zgjati dorën për të na ndihmuar dhe që vendosi Tajvanin në grupin e parë të vendeve për të dhuruar vaksina. Ne gjithashtu falënderojmë tre senatorët, të cilët janë të pranishëm këtu, në përpjekjet e tyre të mëdha për të ndihmuar. Janë kohë të vështira për Tajvanin dhe ndihma juaj do të gdhendet në zemrat tona”, tha presidentja e Tajvanit.
Vetëm rreth 3% e 23.5 milionë banorëve të ishullit janë vaksinuar dhe pjesa më e madhe e tyre vetëm me një dozë.
Tajvani ka akuzuar Kinën se po përpiqet të bllokojë që në ishull të futen vaksinat e dhuruara. Pekini nga ana tjetër e mohon këtë, ndërsa ka thënë se mund t’i dhurojë Tajvanit vaksinat e prodhuara në Kinë. Por qeveria në Taipei ka shprehur vazhdimisht shqetësim për sigurinë e tyre.
“Unë jam e lumtur të njoftoj se Tajvani do të marrë 750,000 doza vaksinash, si pjesë e dozave të para të dhuruara. Ishte kritike për Shtetet e Bashkuara që Tajvani të përfshihej në grupin e parë që merr vaksinat, sepse ne njohim nevojën tuaj urgjente dhe ne e vlerësojmë këtë partneritet”, tha senatorja demokrate Tammy Duckworth.
“Vitin e kaluar, një pandemi globale erdhi nga Wuhan në Kinë, që u karakterizua nga mungesa e transparencës dhe mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar nga Partia Komuniste Kineze. Sot, në kontrast dramatik, Shtetet e Bashkuara po drejtojnë përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar miqtë dhe partnerët tanë. Për të sjellë një lehtësim nga kjo pandemi globale duke dhuruar dhjetëra milionë vaksina shumë efektive në të gjitha pjesët e botës, përfshirë Tajvanin”, tha senatori republican nga Alaska, Dan Sullivan.
Të premten, Japonia i dorëzoi Tajvanit rreth 1.2 milionë doza vaksinash kundër koronavirusit, duke sjellë dhe reagimin e ashpër të Kinës.
Partia Komuniste e Kinës nuk e ka kontrolluar kurrë Tajvanin, por ajo e shikon këtë vend-ishull si pjesë të territorit të saj dhe është zotuar se një ditë do ta fusë nën kontroll, edhe me forcë nëse është e nevojshme.
Pekini ka ushtruar presione ekonomike, ushtarake dhe diplomatike mbi Tajvanin në vitet e fundit dhe e mban atë të izoluar nga organet ndërkombëtare, siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ishulli është vetë-qeverisur që nga fundi i luftës civile në Kinë në 1949. Tajvani ka flamurin, monedhën dhe ushtrinë e tij, por nuk njihet si vend sovran nga OKB./VOA