Tre ballkanas sulmojnë Amerikën në një ditë, ndoshta në një orë

schedule21:47 - 3 Shkurt, 2023

schedule 21:47 - 3 Shkurt, 2023

Edhe në Beograd u shfaqen politikanë që thërrisnin ‘Tradhtar!, tradhtar!…’ dhe sulmonin me pasion nacionalist. S’e them dot orën e saktë kur Parlamentin e Serbisë e pushtuan kundërshtarët e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, por ka qenë e enjte, 2 shkurt, paradite.

Nuk ka dyshim se ka qenë e njëjta orë me sulmin që ndërmorën deputetët e PD në Parlamentin e Shqipërisë; ashtu si në vitin 1991 kur opozita këtu thërriste ‘e duam Valiasin si Stari Tergun’… Edhe serbët pushtuan foltoren e Parlamentit duke jehuar me thirrjen kundër qeverisë: ‘Tradhtar i Amerikës!’.

Në atë orë, në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ishin ftuar autoritetet politike të Kosovës për të nënshkruar ‘orën e së vërtetës’ mbi marrëveshjen mes Kosovë e Serbi; por në takim nuk u ftua i vetmi kryeministri Albin Kurti. Ky kishte marrë ‘flamurin’ e luftës kundër SHBA- BE dhe, nga jashtë, thurte plane si të mos pranohej ‘Asociacioni i Komunave’, i cili ishte nënshkruar që në vitin 2013. I dërguari i SHBA në Ballkanin Perëndimor, Escobar, foli prerë: ‘Sidoqoftë, Asociacioni do të bëhet’.

Derisa erdhi në këtë ‘fjalor’ të prerë përfaqësuesi amerikan, natyrshëm nënkupto tension dhe shtrëngesë të panatyrshme.

Në të tre rastet, të tre ballkanikët (Nacionalistët serbë, Sali Berisha e Ilir Meta dhe Albin Kurti), në të njëjtën kohë, sipas tyre, kishin shtrënguar hekurat ndaj Amerikës.

Deputetët serbë, me armën ‘tradhtar!’ u vunë kundër grupimit të presidentit të Republikës që kishte pranuar të çohet përpara Marrëveshja me Kosovën. Me armën e nacionalizmit etnik dhe parullën e ‘shitjes së Kosovës’ ata hapnin gropën e madhe ku binte projekti pro- europian i Serbisë. Presidenti Vucic tha hapur se ‘pa këtë marrëveshje’ Serbia të harrojë rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Rënia e ‘Serbisë Europiane’ do të thotë menjëherë rrënimi i projektit Perëndimor për Serbinë dhe kthimi i busullës së shtetit ballkanik drejt Moskës. Goditja, më në fund, drejtohet kundër Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, ku bie një histori e tërë lufte, projektesh dhe përpjekjesh diplomatike Perëndimore.

Deputetët ‘okupues’ serbë e dinë këtë.

Edhe në Tiranë, deputetët e grupimit antiamerikan, aq sa okupuan foltoren dhe kërkuan anarki, aq edhe mbanin hapur telefonat ‘smart’ ku transmetohej rebelimi i ‘pro- moskovitëve’ në Parlamentin e Serbisë. Disa media në Tiranë, në vend të kësaj, filmonin një deputet të maxhorancës që luante shah me vete, teksa të tjerët ulërinin. Ndoshta kjo ishte pamja më dëshmuese e Parlamentit të Tiranës. ‘Shahu’ i deputetit ishte shenja se këtu luhet shah, nuk mund të ndodhë ‘revolucioni’ i antiamerikanëve; këta thjesht koordinojnë veprimet me ligësinë anti- perëndimore që ende ka mbetur në Ballkan. Shqipëria është e garantuar si qendër stabiliteti për rajonin, edhe aleanca e shtetit me Amerikën është në ‘nivelin më të lartë’, deklaruan amerikanët.

Vetëm Sali Berisha dhe Ilir Meta, dy ‘ekskavatorë’ që rrëmojnë lidhjen me qytetërimin Perëndimor, nuk ndodheshin në sallën e Parlamentit. I pari është ende i dënuar për të mos hyrë 10 ditë, i dyti i dënuar për të mos hyrë kurrë më. Fryma e tyre e injektuar te deputetët e tyre ishte qartas ‘grusht kundër Amerikës’ në këtë kohë të keqe. Plani i tyre ‘superior mbi superfuqinë’ ishte ndërtuar me dy plane: Në njërën anë sulmonin kryeministrin Rama se ‘ka tradhtuar Amerikën’; në anën tjetër i shtrinë dorën Amerikës duke i thënë: ‘Ne bashkëpunojmë me Kongresin’, nëse doni. Ama, nëse doni (!). Kërcënimi, sado që është i marrëzishëm, megjithatë përmban idenë e skllavërimit të Amerikës nga dy të korruptuar të mëdhenj.

Qëllimi i Grupimit është që të minohet projekti për rreshtimin e rajonit drejt Perëndimit. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka forcuar edhe më shumë këto linja.

I treti i Ballkanit ‘pa direksion’ u shfaq Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Ky është një bashkëpunëtor i hershëm i fantazmës se ‘nuk na duhet një shtet i Kosovës’, gjë që ka pasur mbështetjen e hershme të Sali Berishës në Shqipëri. Edhe sot e kësaj dite Kurti nuk e pranon qeverinë pro- amerikane dhe pro- evropiane të Tiranës. Politika dhe media e Kosovës, çdo ditë po i bëjnë thirrje të ndryshojë kahjen ndaj SHBA, por ai ka deklaruar se ‘nuk e pranon’ projektin BE- SHBA. Sot është nisur drejt Ankarasë ku do të takohet me presidentin turk Erdogan, ndoshta në një përpjekje për të gjetur ‘një oaz refektues’.

Sulmi i tre ballkanikëve kundër Perëndimit nuk është se mbaroi këtu…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!