25 mijë banorët pranë ish-Kombinatit “Misto Mame” ne Tirane kane kanë një lagje te transformuar.
Bashkia ka rehabilituar te gjithe zonen qe kufizohet nga rruga “Konferenca e Pezës” – “3 Dëshmorët” dhe “Ali Jegeni”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj shkoi per te inspektuar punimet nderkohe beri te ditur investimet e reja.
“Po përgatisim kopshtin dhe çerdhen e re në Kombinat, pastaj do të fillojmë shkollën e re tek zona e ‘Astirit’. Nuk ka asnjë dyshim që do të bëhet autostrada e ‘Astirit’ dhe nuk ka asnjë dyshim që ajo autostradë do t’i nxjerrë të gjithë fitues. Disa do t’i nxjerrë fitues, duke u shpronësuar dhe duke i marrë paratë ‘kesh’ në dorë, disa do t’i nxjerrë fitues, duke qenë në kufi të asaj prone do të ketë zhvillime dhe secili do të marrë përqindjen e tij të zhvillimit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se kjo është fuqia e votës dhe e zgjedhjeve. Ai theksoi se pavarësisht se një minorancë u përpoq t’i impononte qytetit hallet e veta, ajo që njerëzit duan realisht janë rrugë, kopshte e shkolla të reja.
“Për të gjithë ata që ngritën një gurgule gjatë fushatës, ka apo s’ka zgjedhje, do të ketë bojkot, do të bëhet kataklizmoja, në fund të ditës treguam që këto zgjedhje për këto punë janë: janë për të bërë kopshtet, çerdhet, shkollat, janë për të mbjellë pemë, për të shtruar trotuare, për të rregulluar këto avlli me mure dekorative. Kush mendoi të ngatërronte revolucionet imagjinare me punën konkrete të halleve të njerëzve dhe kush u mundua t’i impononte qytetit hallet e veta, sikur të ishin hallet e secilit, e kish gabim. Na rezulton se hallet e njerëzve janë këto: rruga ku do ecim, shkolla ku do të çojmë fëmijët, pema që do iu bëjë hije, një kënd lodrash ku do të luajnë të vegjlit”, tha ai.
Veliaj shtoi se puna do të vijojë gjatë gjithë verës, në mënyrë që qytetarët, kur të kthehen nga pushimet, të gjejnë një infrastrukturë më të mirë. “Ka fushatë, s’ka fushatë, mbaruam zgjedhjet në datën 30 qershor, dhe nga 1 korriku e deri më sot do vazhdojmë kështu përditë, edhe gjatë pushimeve të verës, për të rikuperuar kohën e shirave, por sigurisht për të shfrytëzuar faktin që banorët janë me pushime”, deklaroi ai.
Ai theksoi se 99% e njerëzve janë mirëkuptues e duan drejtësi e shtet funksional.
“Duan rend, duan që Tirana të eci përpara. Ka gjithmonë një përqindje të vogël që, për ideal të partisë, janë kail të bllokojnë gjithçka. Mos ma prek Liqenin, mos ma prek Teatrin, mos ma prek Pazarin, mos m’i prek lodrat, mos ma prek Sheshin, mos ma prek Bulevardin: eksperienca na ka treguar që ata që prekin, që vënë dorë dhe që rregullojnë gjëra, janë ata që i sjellin të mira qytetit. Ndak, ne do të vazhdojmë përpara, do respektojmë çdo minorancë, ama në fund fare vendimet do t’i marrim për shumicën që na ka votuar dhe që do që Tirana të ecë përpara”, tha Veliaj./ABC News Albania 24/7