Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e një tjetër blloku banimi në njësinë 7. Erjon Veliaj tha se këtë vit të fundit të mandatit, fokus do të jenë ndërhyrjet nëpër lagje dhe në periferi.
Blloku i banimit “Frederik Shiroka” në njësinë 7 në Tiranë po merr një pamje të re. Projekti i rikualifikimit të plotë urban i kësaj zone u siguron banorëve të lagjes rrugë më mira, trotuare, hapësira rekreative, si dhe një kënd lojërash për fëmijë. Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se këtë vit fokusi do të jetë tek investimet në çdo lagje e periferi të kryeqytetit.
“Jam shumë i lumtur që e kemi filluar vitin e ri me marshin e pestë, kur vjen puna tek ndërhyrjet kapilare. Në këtë vit të fundit të mandatit, fokus do të jenë ndërhyrjet nëpër lagje dhe në periferi, për t’u siguruar që siç është punuar me të njëjtin cilësi në sheshin “Skënderbej”, tek Pazari i Ri, Liqeni, kështu të punohet në çdo cep të Tiranës. Njësia 7 është ndoshta një nga njësitë më të populluara, ndoshta një qytet i dytë pas Tiranës, ndaj fakti që blloku “Frederik Shiroka” e nis me këmbë të mbarë këtë vit të ri, besoj se është një lajm i mirë për të gjithë banorët. Puna fillon në zemër të Tiranës dhe mbaron në periferi, deri te Dogana ose Terminali i Autobusëve. I kemi marrë blloqet mbarë”.
Veliaj vuri theksin tek mbështetja buxhetore e këtij viti për investime të tilla dhe falënderoi banorët të cilët kanë qenë bashkëpunues për të liruar hapësirat e zaptuara. Kryebashkiaku theksoi rëndësinë e investimeve në njësinë 7, e cila është jo vetëm një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, por edhe një nga njësitë që ka përfituar më shumë inverstime gjatë këtyre viteve të fundit./abcnews.al