SHQIPËRI– Kryeministri i vendit Edi Rama, ka shpërndarë një video në faqen e tij zyrtare “Facebook” përmes të cilës tregon transformimin e sektorit energjetik.
Ai thekson se në vitin 2013, kohë kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e përgjithshme, sektori energjetik në Shqipëri ngjante si një “vrimë e zezë” në mes të Evropës me humbje katastrofike dhe vjedhje të shumta.
Krahas kësaj, Rama thotë se falë reformave dhe punës së bërë, Shqipëria sot është prodhuesja më e madhe e energjisë diellore në rajon. Ai thekson se brenda mandatit të katër qeverisës, Shqipëria do të fitojë pavarësinë e plotë sa i takon furnizimit me energji.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë videokartolinë të transformimit epokal në sektorin energjitik prej vitit 2013, kur Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë, radhët e gjata të gjysmës së popullit për të paguar faturat edhe për gjysmën që s’paguante, lëvizjet skandaloze të çmimit e zhurmat e gjeneratorëve nëpër rrugë, e deri sot kur jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon, kemi shërbime të digjitalizuara e një volum investimesh në vazhdim që do të na japin pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt, ndërkohë që kemi vendosur uljen e parë në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë, nga e cila përfitojnë mbi 1 milionë abonentë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama./ abcnews.al