Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, ka dalë në konferencë për shtyp para ndeshjes së Serie A kundër SPAL. Kryesuesit e kampionatit italian ndeshen në transfertë ndaj vendit të fundit, por Sarri duhet të mendojë për ndeshjen e Champions League përballë Lyon në mesjavë, si dhe për mungesat e shumta që ka.
Në fjalën e tij, strategu italian i Juventusit tha: “Chiellini është mirë fizikisht, i mungon vetëm hapi i fundit. Khedira është mbrapa Chiellinit, ka ende nevojë për kohë rikuperimi. Bernadeschi është gati për të luajtur, por nuk mendoj se i ka ende 90 minuta në këmbët e tij.
Miralem Pjanic është shumë pranë rikthimit në fushat e lojës. Nuk po mendojmë për titullin kampion në Serie A, por thjesht për transfertën e nesërme. Jemi në një periudhë vendimtare dhe po i shikojmë ndeshjet një e nga një. SPAL me Di Biagio, ka ndryshuar diçka taktikisht. Do të jetë një sfidë e ëvshtirë. Skema 4-3-3? Varet nga lojtarët që do të kemi në dispozicion. Në repartin e mbrojtjes, nuk do të kemi shumë ndryshime”, tha mes të tjerash Sarri./abcnews.al