David Trezeguet është një emër i dashur për tifozët e Juventusit. Francezi luajti 10 sezone me bardhezinjtë (2000-2010) dhe formoi një dyshe të paharrueshme në sulm me kapitenin Alex Del Piero. Shumë gola të shënuar dhe disa trofe të fituara me “Zonjën e Vjetër”.
42-vjeçari është kthyer pas në kohë dhe rrëfen se fillimi i aventurës me Juventusin nuk ka qenë aspak i lehtë. Trezeguet shënoi golden goal në finalen e Euro 2000 midis Francës dhe Italisë, duke u bërë heroi i francezëve dhe personi më i urryer në Itali.
“Historia e ardhjes time te Juventusi është interesante dhe dramatike. Rashë dakord me Bettega (ish-drejtues i bardhezinjve) dhe firmosa dy ditë përpara Europianit të vitit 2000. Faza e parë përgatitore me Juventusin nuk ishte aspak e thjeshtë, sepse tifozët nuk më pritën mirë.
Dalëngadalë u bëra pjesë e historisë së klubit. Juventusi ka qenë shumë i rëndësishëm për mua, nuk fitonte prej kohësh dhe unë ia dola të shpallem golashënuesi më i mirë i Serie A. Ishte një moment vërtet magjik“, thekson ish-bomberi francez. /abcnews.al