Nuk do të jetë e lehtë që braziliani Nejmar të realizojë dëshirën e tij këtë verë. Ylli i Paris Sen Zhermenit është në konflikt jo vetëm me klubin francez, por edhe me katalanasit.
Nuk ka rast më të ngatërruar në futbollin botëror sesa ky i Nejmarit që kërkon të shkojë tek Barcelona.
Gjithçka ka arritur përmasa eksplozive, madje konfliktet janë në çdo “cep”.
Ka luftë mes lojtarit dhe klubit të tij, Paris SG, pasi Nejmar nuk është paraqitur në grumbullim, dhe ndoshta nuk do të jetë as në datën 15 kur nisin stërvitjet, diçka që do t’ia ulte edhe më shumë çmimin e kartonit.
Ka tension mes Paris SG dhe Barcelonës, pasi klubi i parë zotëron kartonin e brazilianit, ndërsa i dyti duket se e “ysht” që të veprojë si rebel.
Katalanasit ia dhanë pa dëshirë PSG-së dy vjet më parë, kundrejt 222 milionë eurove (sa klauzola), por sot mendojnë se vlera e yllit 27-vjeçar ka rënë, dhe nuk duan të paguajnë më shumë se 200 milionë euro.
Është edhe një përplasje tjetër, mes vetë Nejmarit e Barcelonës, pasi dy palët janë në gjyq që në 2017, për çështje rroge.
Kur ishte ende në “Kamp Nou”, sulmuesit iu premtuan 40 milionë euro, dhe nga këto iu dhanë 14 milionë.
Barça e dërgoi në gjyq kur ai iku duke kërkuar 14 milionët dhe 75 milionë euro dëmshpërblim.
Vetë lojtari kërkoi 26 milionë eurot e tjera.
Kjo pra është situata e “telenovelës” më të papëlqyer të verës./ ABC News Albania 24/7