Transferimi i Griezmann te Barcelona, zbulohen prapaskenat

schedule08:39 - 20 Shtator, 2019

schedule 08:39 - 20 Shtator, 2019

Transferimi i Antoine Griezmann te Barcelona u shoqërua me polemika të shumta dhe me kërcënime nga klubi i Atletico Madrid. Këta të fundit pretendonin se katalanasit kishin biseduar me lojtarin e tyre në momentin kyç të sezonit dhe kishin ndikuar në rendimentin e francezit.

Ditën e sotme, El Mundo Deportivo, raporton se ka prova që Barcelona ka biseduar me Griezmann që në muajin mars. Diçka e tillë ka ndodhur përmes postës elektronike dhe për transferimin e tij janë paguar 14 milionë euro komisione, të përfituara nga babai i tij Allan,  motra e tij Maud, avokati dhe një ndërmjetës nga Barcelona, që ka përfituar gjysmën e shumës.

Këto komisione kanë pasur një ndikim të madh në vendimin e francezit për të nënshkruar me Barcelonën. Marrëveshja u mbyll mes palëve, edhe pse Griezmann kishte një kontratë me Atleticon. Ai priti vetëm që klauzola të shkonte nga 200 milionë euro në 120 milionë.

Në artikullin e gazetës spanjolle thuhet se marrëveshja për komisionet u mbyll pikërisht kur Atletico luajti ndeshjet e rëndësishme kundër Juventusit (Champions League) dhe Barcelonës (La Liga). Griezmann pati probleme edhe me menaxherin e tij. Ky i fundit ka nxjerrë edhe emailet dhe Atletico kërkon dënimin e Barcelonës për shkelje të rregullave të transferimeve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!